Kuvendi dje ka shpallur një thirrje publike me nënshkrimin e kryetarit Afrim Gashi, përmes së cilës kërkohet projektues për përforcimin e 6 dyerave masive të hyrjes së Kuvendit, respektivisht për furnizimin me dyer të reja, për mbrojtje nga turmat dhe nga plumbat. Projekti përfshin gjithashtu edhe punimin e një dere të re gjigante të garazhit nën Kuvend.
Sipas Programit të Projektit për punimin e dyerave të sigurisë së Kuvendit, i nënshkruar nga Gashi dhe i bashkëngjitur në dokumentacionin e tenderit, “Klasa e dyerave që kërkohet duhet të ofrojë rezistencë ndaj plumbave, mbrojtje nga projektilet e armëve të zjarrit, si dhe nga tentativat për sulm fizik nga turmat”.
Në Program theksohet se kjo konfirmon nevojën për përdorimin e “materialeve me shumë shtresa si xhami i laminuar dhe vetitë polikarbonate të materialeve, duke përfshirë edhe përdorimin e mekanizmave të specializuar për kornizat dhe mbylljen”.
Më tej kërkohet që dyerat e reja me dy shtresa të testohen ndaj presionit të turmës dhe projektileve të armëve të zjarrit.
“Kjo do të thotë se niveli i mbrojtjes përcaktohet sipas standardeve të njohura të BE-së që simulojnë të dy llojet e sulmeve, me qëllim që të garantohet siguria e objektit. Bëhet fjalë për 6 dyer të dyfishta me përmasa 166/293/193 cm dhe një derë garazhi me përmasa 355/485 cm, e cila duhet të ketë një trajtim ndryshe të zgjidhjes funksionale nga dyerat e tjera të hyrjes”. Më tej rreshtohen vetitë e kërkuara të materialeve.
Në shpallje thuhet se është e domosdoshme që dyerat e dyfishta të hyrjes të plotësojnë edhe standardet estetike të objektit, duke e vendosur konstruksionin e sigurisë brenda një veshjeje sandviç prej druri nga ana e jashtme dhe e brendshme, e cila do të punohet sipas regjistrimit të dizajnit ekzistues dhe skemës së modelit.
“Projekti për konstruksionet ndërtimore duhet të sigurojë përforcime me beton të armuar rreth kornizave të dyerave. Projekti i elektroteknikës duhet të sigurojë instalimin për vendosjen e automatizimit të nevojshëm, kontrollit dhe regjimit të përdorimit të dyerave”, me qëllim që ato të mos hapen dhe mbyllen nga kushdo.
Objekt i kontratës për furnizim publik janë: “Shërbime për projektin bazë me revizion për përforcimin e dyerave të jashtme të qasjes”. Vlera e vlerësuar për hartimin e projektit pa TVSH është 300,000 denarë, respektivisht rreth 5,000 euro për projektin më të mirë.
Dyerat aktuale janë autentike dhe me vlerë muzeale, përkatësisht janë gjigante, të punuara nga druri masiv dhe datojnë që nga ndërtimi i Kuvendit në vitin 1938. Megjithatë, ato u dëmtuan dukshëm më 27 prill 2017 gjatë sulmit të organizuar ndaj Kuvendit nga një turmë e tërbuar, e cila bëri presionin më të madh pikërisht mbi dyerat e para të hyrjes që zbukurojnë ndërtesën e parlamentit.
Ish-deputetët Krsto Mukoski dhe Sasho Vasilevski nga VMRO-DPMNE i hoqën barrierat e çelikut nga dyerat e hyrjes dhe turma hyri me dhunë për të demoluar Kuvendin nga brenda dhe për të sulmuar deputetët e gazetarët.
Ndërtesa e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një nga ndërtesat më monumentale në vend, për të cilën në vitin 1930 u shpall edhe një konkurs projektimi ku fitoi arkitekti Viktor Lukomski, ndërsa u ndërtua në vitin 1938 sipas projektit të arkitektit çek Viktor J. Hudak.

