Shoqata “PARANDALO”, në bashkëpunim me Xhaminë “Shtëpia e Paqes” në Kantonin e Cyrihut, ka realizuar një aksion humanitar në mbështetje të disa spitaleve dhe institucioneve shëndetësore në Maqedoninë e Veriut.

Në kuadër të këtij donacioni janë dorëzuar 200 bartëse për pacientë (Tragetücher), të destinuara për përdorim gjatë kujdesit dhe transportimit të pacientëve. Pajisjet janë shpërndarë në disa institucione shëndetësore, përfshirë spitalet në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Dibër dhe institucione të tjera.

Ky donacion është pjesë e aktiviteteve humanitare që Shoqata “PARANDALO” ka realizuar ndër vite, me fokus mbështetjen e institucioneve dhe iniciativave me ndikim shoqëror.

Xhemal Selimi, themelues i Shoqatës “PARANDALO”, theksoi për albinfo.chse angazhimi humanitar i shoqatës mbetet një proces i vazhdueshëm.

" "

“Shoqata PARANDALO që nga fillimi i veprimtarisë së saj ka realizuar iniciativa të ndryshme humanitare. Çdo donacion është rezultat i përkushtimit dhe bashkëpunimit të njerëzve që duan të kontribuojnë aty ku ka nevojë. Edhe kësaj radhe qëllimi ynë ishte që këto pajisje të arrijnë tek institucionet ku mund t’u shërbejnë pacientëve dhe personelit shëndetësor”, u shpreh Selimi.

Pjesë e realizimit të këtij donacioni ishte edhe Xhamia “Shtëpia e Paqes” në Kantonin e Cyrihut, e përfaqësuar nga imami Fahredin Bunjaku.

“Mbështetja e iniciativave që kanë në qendër kujdesin ndaj njerëzve është përgjegjësi që duhet kultivuar vazhdimisht. Falënderojmë të gjithë donatorët dhe personat që kontribuuan në realizimin e këtij aksioni”, tha imami Bunjaku për albinfo.ch.

Organizatorët shprehën falënderim për të gjithë donatorët, vullnetarët dhe mbështetësit që ndihmuan në realizimin dhe shpërndarjen e këtij donacioni.

Ky aktivitet është pjesë e vazhdimësisë së punës humanitare të Shoqatës “PARANDALO” dhe bashkëpunimeve që synojnë mbështetjen e komunitetit përmes projekteve konkrete.

sqShqip