Të nderuar familjar, miq, kolegë, bashkëveprimtar, e bashkëqytetarë, kur e shoh jetën time pas shtat dekadave, e kaq shumë dekadash në arsim (42-vite) në përkushtim, në sakrificë dhe në ideal kombëtar, e kuptoj se ajo nuk ishte thjesht një rrugëtim profesional.
Ishte një përballje e vazhdueshme me kohën, me padrejtësitë, me sistemin që nuk na donte as të arsimuar, as të vetëdijshëm, as të lirë.
Por unë nuk e zgjodha heshtjen, ate që e mendova, çdoherë e thashë, ate që e thashë, e veprova, dhe atë që e veprova, e bëra publikisht, i konvenonte apo jo pushtetit, partisë apo kohës.
Sot, shumë nga këto përpjekje janë të dokumentuara në libra, shkrime, studime dhe fotografi. Por historia nuk është vetëm në faqe, ajo është në plagët tona, në kujtimet tona, në buzëqeshjet e atyre nxënësve studentëve që dikur nuk kishin as libra, por kishin ëndrra. Ëndrra që ne nuk i lejuam të vdesin.
Arsimi për mua ka qenë gjithmonë më shumë se detyrë, ka qenë mision. Ndërsa humaniteti dhe bamirësia, pasioni im i natyrshëm, jo si njeri që ka, por si njeri që ndjen.
Nuk kam kërkuar asnjëherë pasuri, as famë, as pozitë. Por gjithmonë kam kërkuar drejtësi, dije dhe dinjitet për popullin tim.
Nëse një gur të vetëm kam vendosur në themelet e arsimit shqip, nëse një shpresë kam mbjellë në zemrën e një fëmije, nxënësi, apo studenti që s’kishte zë, nëse një fjalë kam thënë që u bë motiv për dikë, atëherë jeta ime ka pasur kuptim.
Sot, dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë, prindërit, familja kolegët, bashkëveprimtarët, e veçanërisht popullin që më besoi.
Faleminderit edhe historianëve, studiuesve, njerëzve të penës dhe mediave që e pasqyruan punën time me respekt dhe objektivitet.
Mburrem me rininë tonë, një rini e shëndoshë, e mençur dhe me potencial të jashtëzakonshëm.
Dua t’ju them, nga përvoja ime: ruani gjuhën, ruani dijen, ruani ndërgjegjen kombëtare.
Këto janë thesare që s’merren me dhunë, por as nuk falen me neglizhencë.
Zgjidhja është afër, kemi dy shtete shqiptare. Një frymë kombëtare në Republikën tonë që po rritet çdo ditë në vetëdijen tonë.
Kufijtë artificialë do të bien, dhe shumë shpejt, do të kemi dy : Shtetet e Bashkuara Shqiptare në Ballkan. Kjo nuk është vetëm ëndërr, është drejtësi historike.
Ju faleminderit nga zemra për gjithçka.
Me përulësi, Etem Xheladini