Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murseli dhe Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademaj, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023. Ndërkohë, Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burg.
Në përfundim të procesit, prokurorja e çështjes, Javorka Përlinçeviq, kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, duke argumentuar se vrasja ishte e mirëplanifikuar. Të njëjtin qëndrim e kishin mbështetur edhe familjarët e viktimës, përfshirë vëllain e saj, Leonard Ademaj, si dhe avokati i familjes, Leutrim Syla.
Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar një vendim të bazuar në prova dhe në parimin e drejtësisë.
Krimi ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku Liridona Ademaj u qëllua për vdekje teksa ndodhej në makinë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët e tyre.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se kishte organizuar vrasjen e bashkëshortes për përfitime financiare nga një sigurim jetese në Suedi, me vlerë rreth 260 mijë euro. Po sipas Prokurorisë, Kushtrim Kokalla kishte ndërmjetësuar kontaktin mes tij dhe Granit Plavës, i cili konsiderohet si autori i drejtpërdrejtë i krimit, i kryer kundrejt një pagese të premtuar prej 30 mijë eurosh.

