Vjedhja e popullit me tupan
TRADHTI QENKA NËSE THUHET E VËRTETA PARA AGONISË
Fadil Curri
Nëse e thua të vërtetën e lemerishme hapur e para botës dhe nuk e fsheh si deri më sot, të padisin se e tradhton interesin nacional, se mallin e shtrenjtë të “shpis” e shet lirë në çarshi, se e turpëron shtetin e vet edhe ashtu të të turpëruar, varfëruar e shtypur kokë e këmbë. Sipas paditësve, e vërteta e tyre qenka dashur ta parfumosë korrupsionin, vjedhjen e plangprishjen permanente të shtetit të popullit.
Ajme, si do të luftoheshin ligësitë pa u identifikuar, vallë duhej të vazhdohej vjedhja deri edhe te veshmbathja e trupit të popullit, sa një ditë ky të mbetet lakuriq në shesh dhe përsëri të cilësohet si i ndershëm e i pasur?!
Tradhti është nëse nuk thuhet e keqja, nëse nuk luftohet e trimërohet, nëse e lejon qoftë me heshtjen se gjoja nuk po e shoh e nuk po e di të keqen.