Nga Etem Xheladini,
(ish-punonjës i arsimit për 42 vite)

Viti i ri shkollor ka filluar prej gati një muaji. Si një njeri që kam kaluar 42 vite në arsim, e ndjej të domosdoshme të ndaj disa mendime me prindërit, jo për çështje akademike, por për diçka më të thellë: për sjelljen, për ndjeshmërinë, për njerëzinë që duhet t’ia mësojmë fëmijëve tanë.
Në këto javë, duke parë sjelljen e nxënësve, fëmijëve tanë në rrugë e në shkollë, më shtohet bindja se fëmijët kanë nevojë për udhëzim të vazhdueshëm moral.
Prandaj, i nxis prindërit: Uluni për 5 minuta me fëmijët tuaj. Jo për t’i pyetur për nota apo për ushqimin, por për të folur për zemrën, për sjelljen, për ndjeshmërinë.
Flisni me ta dhe shpjegojuni se:
– Nuk ka asnjë arsye për të tallur dikë për skamjen, për peshën, për veshjen apo për prindërit e tij.
– Një çantë e përdorur ka vlerë po aq sa një e re, dhe një palë këpucë të vjetra nuk e ulin aspak vlerën e një fëmije.
– Askush nuk duhet përjashtuar sepse është ndryshe.
– Fjalët lëndojnë më shumë se sa e mendojmë.
– Duhet të respektojnë të moshuarit, kalimtarët, shenjat dhe sinjalet e qarkullimit.
– Shkolla është vend për të mësuar dhe për të ndërtuar karakter, jo për të garuar në dukje apo për të përhapur negativitet.
Kujtoni se ka fëmijë nuk kthehen në shtëpi ku i pret përqafimi i një prindi, apo ngrohtësia e një familjeje të kujdesshme.
Në ato raste, mirësia e një shoku klase, një buzëqeshje apo një fjalë e mirë mund të jetë drita e vetme në ditën e tyre.
Prindër të nderuar, edukata fillon në shtëpi. Fëmijët mësojnë më shumë nga shembulli juaj sesa nga çdo fjalë e thënë në klasë.
Prandaj flisni me ta, jo vetëm kur gabojnë, por për t’u treguar si të bëhen njerëz të mirë.

sqShqip