Drejtuar Mr. Propaganda,
Zoti Propaganda deklaroi me shumë sinqeritet se lufta e Europës kundër Trump po zhvillohet në Shqipëri dhe se protestuesit janë të financuar.
Po e mendoj edhe unë. Ndoshta disa janë. Europa, vendet e rajonit dhe shumë aktorë të tjerë kanë interesa dhe ndikime të drejtpërdrejta në Shqipëri. Kjo nuk është ndonjë teori e re.
Por ka një problem, Mr. Propaganda.
Europa po bën propagandë shumë më zgjuar, shumë më bukur dhe shumë më efektivisht sesa ju. Propaganda juaj, kaq bazike dhe e konsumuar, arrin të bindë vetëm ata që duan të gënjejnë veten se gjithçka është në rregull.
Mr. Propaganda thotë se mes protestuesve ka sorosianë, iranianë, serbë dhe armiq të tjerë. Ndoshta ka. Nuk do të çuditesha.
Por Mr. Propaganda harron diçka shumë më të rëndësishme.
Sheshet nuk i mbushin iranianët. Frymën nuk e krijojnë serbët. Zemërimin nuk e sjell Sorosi.
Sheshet dhe atë energji e krijojnë njerëzit e thjeshtë. Njerëz që propaganda juaj dhe propaganda e kujtdo tjetër nuk i prek më. Njerëz që e duan vendin e tyre. Njerëz që janë lodhur nga i njëjti realitet, nga të njëjtat premtime, nga të njëjtat mashtrime që përsëriten brez pas brezi.
Mr. Propaganda, e kuptoj pse është më e lehtë të flitet për armiq nga jashtë kur populli mblidhet bashkë. Kjo është një strategji e vjetër.
Por këtë herë përballë nuk keni një grup të vogël kundërshtarësh. Përballë keni breza të tërë njerëzish që ndihen të mashtruar, të zhgënjyer dhe të vjedhur nga ju dhe nga pasardhësit tuaj politikë.
Mr. Propaganda, duhet një strategji e re.
Sepse po vjen një epokë tjetër.
@highlight

