Tetovë, 22 qershor – Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar akuzat ndaj Komunës së Tetovës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit që kishte të bënte me emrat e rrugëve. Kryetari i Degës së BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon destabilizimin e vendit dhe, sipas tij, është rezultat i ndikimit të qarqeve serbe dhe ruse.

Rexhepi kërkoi edhe një herë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal të Tetovës, ku do të miratohej sërish vendimi i vitit 2007 për emërtimin e rrugëve, duke theksuar se këshilltarët e BDI-së do ta mbështesnin atë. “Ne sot i bëjmë një thirrje përfundimtare Komunës së Tetovës që brenda dy ose tre ditëve të ardhshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të miratohet vendimi që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, një vendim i sjellë në vitin 2007 nga Këshilli Komunal dhe që ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse Komuna e Tetovës shpreh gatishmëri për ta miratuar këtë vendim, do të ketë mbështetjen e plotë të këshilltarëve tanë. Nëse refuzon thirrjen tonë për një seancë të jashtëzakonshme, atëherë do ta konsiderojmë bashkëfajtore dhe bashkautore të këtij vendimi skandaloz. Sipas informacioneve që posedojmë, ky vendim është orkestruar nga qarqe të botës serbe dhe ruse që veprojnë në rajon”, deklaroi Bajram Rexhepi.

PLASIN KOMENTET PAS KONFERENCËS SË BAJRAM REXHEPIT: “KU ISHIT 20 VJET KUR DUHEJ T’I ZGJIDHNIT EMRAT E RRUGËVE?”

Konferenca për media e mbajtur sot para Komunës së Tetovës nga kreu i BDI-së në Tetovë, Bajram Rexhepi, ka nxitur një valë reagimesh në rrjetet sociale. Nën videot e publikuara nga mediat shtetërore dhe lokale, qytetarët kanë shpërthyer me kritika të ashpra, duke rikthyer në vëmendje faktin se pikërisht BDI ka qenë pjesë e pushtetit për gati dy dekada, periudhë gjatë së cilës çështja e emrave të rrugëve nuk u mbyll asnjëherë përfundimisht.
Në vend të mbështetjes, komentet janë mbushur me pyetje të drejtpërdrejta ndaj ish pushtetarëve. Shumë qytetarë rikujtojnë se problemi nuk lindi sot dhe as dje, por mbeti i pazgjidhur për vite me radhë, ndërsa ata që kishin kompetencat për ta përfunduar procesin nuk e bënë.
Një qytetar shkruan se “nuk është problem vendimi i sotëm, por fakti që për afro 20 vjet dikush i ka mashtruar qytetarët duke u thënë se çështja është zgjidhur, ndërkohë që nuk ishte përmbyllur institucionalisht”.
Një koment tjetër ngre pyetjen që po përsëritet më së shumti: “Po të ishte zgjidhur kur e kishin pushtetin, pse po flasim ende për këtë temë në vitin 2026?”
Ka edhe reagime që i kujtojnë BDI-së se përgjegjësia për procesin nuk mund të transferohet te të tjerët, pasi sipas tyre, “ata që sot kërkojnë llogari janë të njëjtët që kishin mundësinë ta mbyllnin këtë çështje njëherë e përgjithmonë”.
Në mesin e komenteve ka edhe qytetarë që tregojnë përvojat e tyre personale, duke pohuar se edhe pas ndryshimeve të emrave në terren, për vite të tëra dokumentet zyrtare dhe evidencat shtetërore nuk kanë qenë të harmonizuara me realitetin në terren.
Toni i përgjithshëm i reagimeve është i qartë: qytetarët nuk po debatojnë për emrat e rrugëve, por për përgjegjësinë politike të atyre që për vite me radhë premtuan zgjidhje, ndërsa procesi mbeti i papërfunduar.
Në vend që konferenca të zhvendoste vëmendjen te vendimi i fundit, komentet e qytetarëve e kthyen debatin në një pyetje shumë më të vështirë për BDI-në: kush e kishte pushtetin për gati 20 vjet dhe pse emrat e rrugëve nuk u regjistruan e nuk u zgjidhën përfundimisht atëherë?

sqShqip