Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se bisedimet fillestare brenda koalicionit për rikonstruimin e Qeverisë janë konstruktive dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë këtë javë, ndërsa pret që ato të përfundojnë madje gjatë fundjavës. “Në bisedimet fillestare mbisundon një atmosferë konstruktive. Gjatë kësaj jave do të kemi përsëri takime, pres që ato të jenë përfundimtare, ndërsa gjatë fundjavës e gjithë kjo do të formalizohet me emra dhe specifika të tjera”, theksoi Mickoski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas pjesëmarrjes në Takimin vjetor të Bordit drejtues të Qendrës për ekselencë në financa – CEF (2026 Annual Meeting of the CEF Governing Board).
Ai shtoi se në kuadër të bisedimeve është diskutuar edhe për opsionin e ndryshimit të resorëve.
Veç kësaj, Mickoski paralajmëroi edhe për një takim me të gjithë distributorët, tregtarët dhe marketet dhe, siç tha, do t’u dërgojë atyre një mesazh se kriza po mbaron dhe se qytetarët kanë qenë tolerantë, për shkak që, siç theksoi, tani është radha e tyre t’ua kthejnë dhe të ulin çmimet e produkteve, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore. Ai shtoi se nuk do të pranonte asnjë justifikim për të mos vepruar siç pritet prej tyre.

