Etem Xheladini

Shqiptarët po humbin të drejtat e tyre çdo ditë, ndërsa politika shqiptare vazhdon të kërkojë fajtorin te tjetri, tani, kujt duhet t’i besojë shqiptari në Maqedoninë e Veriut?

Çdo ditë që kalon sjell një dëshmi të re të degradimit të pozitës politike, juridike dhe shoqërore të shqiptarëve, ndërsa subjektet politike shqiptare vazhdojnë të prodhojnë të njëjtin cikël të pafund arsyetimesh, akuzash dhe justifikimesh. Për më shumë se tri dekada, ato kanë qenë pjesë e pushtetit, e institucioneve dhe e proceseve vendimmarrëse, por vazhdojnë të sillen sikur përgjegjësia u takon gjithmonë të tjerëve.
Edhe pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhej të shënonte fillimin e një epoke të re të barazisë, përfaqësimit të drejtë dhe respektimit të të drejtave kolektive, shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, padrejtësi dhe pengesa sistematike. Premtimet për barazi mbetën në letër, ndërsa realiteti vazhdon të dëshmojë një hendek të madh mes asaj që u premtua dhe asaj që u realizua. Gjatë këtyre viteve, njëra pas tjetrës janë shfaqur çështje që kanë tronditur opinionin publik shqiptar dhe kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shtetit ligjor. Rastet e Sopotit, Brodecit, Kumanovës, “Monstrës”, Alfa, Lagjes së Trimave, Komandant Telit, Harun Aliut, Almirit, Shqiponjës, dënimet me burgim të përjetshëm të personave që familjarët dhe mbështetësit e tyre i konsiderojnë të pafajshëm, kufizimi i lëvizjes së lirë për ish-pjesëtarë të kauzës kombëtare, heqja e mekanizmit të balancuesit, kontestimet ndaj Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pengesat në provimin e jurisprudencës, vendimet diskriminuese për emërtimin e rrugëve, skandalet rreth enciklopedisë dhe shumë, e shumë procese të tjera kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kolektive të shqiptarëve.
Megjithatë, përballë këtyre zhvillimeve, qytetarët kanë dëgjuar më shumë propagandë sesa zgjidhje, më shumë akuza sesa përgjegjësi dhe më shumë retorikë patriotike sesa rezultate konkrete.
Për vite me radhë janë dëgjuar deklarata për “ditë të zeza për shqiptarët”, akuza ndaj qeverive të mëparshme, etiketime të kundërshtarëve politikë si “vasalë”, “shërbëtorë” apo “tradhtarë”.
Por një pyetje mbetet e pandryshuar, nëse të gjithë kanë qenë fajtorë, kush ka qenë përgjegjës. Nëse të gjithë kanë dështuar, atëherë pse të njëjtët emra vazhdojnë të qarkullojnë nga një parti në tjetrën, duke mbetur gjithmonë pranë pushtetit.
Ndërkohë, institucionet evropiane vazhdojnë të adresojnë çështje që duhej të ishin zgjidhur prej kohësh nga vetë institucionet e shtetit. Miratimi i amendamenteve që garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe reagimet ndërkombëtare kundër stigmatizimit të protestave studentore dëshmojnë se problemet themelore të shqiptarëve ende nuk kanë marrë zgjidhje të qëndrueshme.
Rasti më i fundit nga Llozova është një kambanë alarmi për të gjithë. Një nxënës shqiptar rrezikon të përsërisë klasën e nëntë, ndërsa familja e tij ngre akuza për diskriminim etnik, fetar dhe politik. Edhe më shqetësues mbetet fakti se këta nxënës, që nga klasa e gjashtë, janë detyruar të ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase. Kjo nuk është thjesht një çështje administrative. Kjo është një goditje ndaj një të drejte themelore dhe një dëshmi e dështimit institucional për të garantuar arsimin në gjuhën amtare. Prandaj, sot shtrohet një pyetje e rëndë, por krejtësisht legjitime, ku janë përfaqësuesit politikë shqiptarë. Si është e mundur që këto padrejtësi të bëhen publike vetëm pasi qytetarët të kenë pësuar pasojat, ku ishte vigjilenca institucionale, ku ishte reagimi politik, ku ishte përgjegjësia morale ndaj elektoratit që për dekada u ka besuar votën.
Është e pamundur të shmanget një e vërtetë e hidhur, një pjesë e madhe e klasës politike shqiptare ka zgjedhur të mbijetojë politikisht, jo të zgjidhë problemet e shqiptarëve. Shumë politikanë kanë ndërruar parti, koalicione dhe pozicione, por jo mënyrën e të bërit politikë. Premtimet kanë ndryshuar formë, por jo përmbajtje. Rezultatet kanë munguar pothuajse gjithmonë. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është neutralitet, është bashkëpërgjegjësi. Mbyllja e syve para diskriminimit nuk është pragmatizëm politik, është dështim moral dhe institucional.
Shqiptarët nuk kanë më nevojë për patriotizëm elektoral që zgjohet vetëm gjatë fushatave. Ata kanë nevojë për përfaqësim dinjitoz, për institucione funksionale, për mbrojtje reale të drejtave kushtetuese dhe për politikanë që japin llogari për premtimet e pambajtura. Dhe sot, pas më shumë se tridhjetë vitesh tranzicion, pritjesh dhe zhgënjimesh, pyetja më e madhe mbetet ende pa përgjigje, deri kur do të vazhdojë kjo heshtje, deri kur do të tolerohen këto padrejtësi dhe këto dështime të njëpasnjëshme.
Dhe, mbi të gjitha, deri kur shqiptarët do të detyrohen të kërkojnë atë që duhet ta gëzojnë si të drejtë të garantuar dhe të patjetërsueshme.

sqShqip