ASH dhe AA thonë së pushteti bën fushatë të errët me shpifje dhe gjuhë të urrejtjes
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si pjesë e koalicionit “Pastër” thonë se partia në pushtet BDI bën fushatë të errët me shpifje dhe gjuhë të urrejtjes duke thënë se rastet e njejta i kanë paraqitur në institucionet vendore dhe në OSBE-ODIHR, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Sot, vetëm dy ditë para përfundimit të fushatës, partitë në pushtet në mungesë të sukseseve, në mungesë të projekteve konkrete dhe në frikë nga humbja e zgjedhjeve, filluan fushatën e errët dhe negative ndaj opozitës. Në Tetovë, Gostivar, Çair, Saraj dhe komunat e tjera janë shpërndarë pamflete me shpifje të ulëta, gjuhë të urrejtjes dhe fyerje ndëretnike. Rasti është denoncuar në polici dhe misionin e OSBE-ODIHR dhe kërkojmë publikisht nga organet e rendit, ti zbulojë autorët e kësaj propagande. Këto veprime të regjimit hibrid LSDM-BDI nuk do të ndalin vullnetin e qytetarëve për ndryshim, por vetëm se demaskojnë retorikën e tyre për bashkëjetesë, shtet për të gjithë dhe mashtrime të ngjashme. Sot e treguat fytyrën e vërtetë. Se kush qëndron prapa këtyre pamfleteve e tregon më së miri përmbajtja e të njëjtave, të cilat janë të ngjashme me deklaratat e kryeministrit Zaev dhe eksponentëve të BDI-së. Ju bëjmë thirje simpatizantëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës që të mos bien pre e provokimeve të këtilla. Veprime të ngjashme kemi parë edhe në disa raste në të kaluarën dhe janë tipike për partitë në panikë, në prag të humbjes së pushtetit. Duke i njohur si funksionojnë, presim që me fabrikime të ngjashme të vazhdojnë deri në momentin e fundit, por sigurojmë opinionin dhe autorët se nuk do të kalojnë pa u sanksionuar fillimisht nga qytetarët përmes votës e më pas edhe me ligj” thonë nga ASH dhe AA.