Maqedoni

“Çmimet rriten, paga mbetet e njëjtë”, Ferati: Parashimet janë të këqija…

Paralajmërimet për rritjen e çmimit të produkteve ushqimore për 50% deri në fund të vitit, ka brengosur qytetarët e vendit thotë ekonomisti Rrahmetull Ferati. Ai thotë se më së shumti do ta pësojnë qytetarët pasi që shporta konsumatore rritet ndërsa paga mesatare mbetet e njëjtë.

“Parashikimet janë që deri në fund të vitit rritja e produkteve ushqimore të rritet diku deri në 50%, të kemi rritje të çmimeve që është një indikator mjaftë shqetësues për ekonominë e vendit dhe për popullatën në përgjithësi. Ngase rritja kaq e lartë nuk mund ta përballojnë qytetarët e vendit nëse marrim parasysh pagën mesatare që është rreth 27 deri 28 mijë denarë, ndërsa shportën konsumatore e kemi 34 mijë denarë”, tha Rahmetullah Ferati – profesor i ekonomisë.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ditë më parë tha se parashikimet për rritje të çmimeve prej 50% të produkteve ushqimore nuk janë të sakta. Por nëse ka rritje të madhe atëherë qeveria do të intervenojnë menjëherë me ngrirjen e çmimeve. E ekonomisti Ferati thotë se qeveria duhet të parandalojë rritjen e energjisë elektrike që të mos rriten çmimet e produkteve ushqimore.

“Në bazë të parashikimeve shihet kjo. Tash kemi 20% rritje të çmimit të bukës por pritet të kemi ende në basë të krizës energjetike që kemi. Pritet që të rritet ngase energjia është elementi bazë i prodhimit të produkteve. Edhe pse nga ana e qeverisë mundohen të stabilizojnë dhe të qetësojnë popullatën mirëpo parashikimet janë të këqija”, shtoi profesori i ekonomisë, Rahmetullah Ferati.

Kryetar i Komisionit Rregullator Energjetik, Marko Bislimovski thotë se nuk ka arsye për panik dhe se qytetarët duhet të jenë të qetë pasi “A.D. Elektranat” mbulojnë tregun plotësisht dhe sigurojnë sasitë e nevojshme të energjisë elektrike.

Ndryshe sipas Entit të Statistikave shporta konsumatore vitin e kaluar në muajin korrik ka qenë 33 mijë 265 denarë apo 550 euro, ndërsa këtë vit është 34 mijë e 127 denarë, që do të thotë se është rritur për 3%.