Etem Xheladini
Në vitet e fundit, e sidomos gjatë dekadës së fundit, sa herë që mbahen zgjedhje, qofshin ato lokale apo parlamentare, partitë politike shqiptare në të gjitha trevat etnike paraqiten si zëri dhe përfaqësuesi legjitim i popullit. Mirëpo, shtrohet një pyetje thelbësore, a e gëzojnë ato vërtet verdiktin e popullit, apo thjesht mbështetjen e aktivistëve të tyre partiakë dhe të klaneve që i rrethojnë.
Realiteti politik po dëshmon çdo ditë se një pjesë e konsiderueshme e klasës politike është larguar nga interesat e qytetarëve dhe është zhytur në mbrojtjen e interesave personale, familjare dhe klanore. Në vend që të jenë zëri i popullit, shumë prej tyre janë shndërruar në zëdhënës të grupeve të ngushta të interesit.
Kjo vërehet qartë në çdo fushatë zgjedhore. Në vend të programeve serioze për zhvillim ekonomik, arsim cilësor, shëndetësi funksionale dhe mirëqenie sociale, qytetarët përballen me një garë akuzash, sharjesh dhe denoncimesh reciproke. Tubimet politike shpesh shndërrohen në arena ku debatohet se kush ka vjedhur më shumë, kush është korruptuar më shumë dhe kush ka dëmtuar më shumë interesat e kombit e shtetit. Në këtë atmosferë, interesat e qytetarit mbeten të fundit në rendin e prioriteteve.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe së fundmi në Republikën e Kosovës flasin qartë. Pjesëmarrja e ulët në votime dhe mbështetja e kufizuar që marrin subjektet politike tregojnë një krizë të thellë besimi. Kur partitë fituese arrijnë të sigurojnë mbështetjen e vetëm një pjese të elektoratit të përgjithshëm, atëherë pretendimi se ato përfaqësojnë të gjithë popullin bëhet gjithnjë e më i diskutueshëm.
Mosdalja masive në votime nuk është vetëm indiferencë, ajo është edhe një mesazh politik. Është një sinjal i fortë se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk e sheh më veten të përfaqësuar nga subjektet ekzistuese politike. Është një refuzim i politikës së interesave familjare, nepotizmit, klientelizmit dhe kapjes së institucioneve.
Megjithatë, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi partitë politike. Një popull që hesht përballë keqqeverisjes, që toleron korrupsionin dhe që tërhiqet nga pjesëmarrja qytetare, rrezikon të bëhet bashkëpërgjegjës për gjendjen që e rrethon. Demokracia nuk funksionon pa qytetarë aktivë, kritikë dhe të vetëdijshëm.
Prandaj, koha kërkon vetëdijesim shoqëror dhe angazhim më të madh qytetar. Nuk mjafton të kritikojmë politikën; duhet të kërkojmë llogari, transparencë dhe përgjegjësi nga ata që marrin mandatin për të qeverisur në emrin tonë.
Në këtë moment historik, fjala i takon rinisë, e veçanërisht rinisë studentore. Historia ka dëshmuar se ndryshimet më të mëdha shoqërore kanë nisur pikërisht nga auditorët universitarë dhe nga energjia e të rinjve. Sistemet e korruptuara, regjimet e padrejta dhe qeveritë që kanë vepruar kundër interesave të popullit janë sfiduar dhe rrëzuar nga breza të rinj që kanë pasur guximin të kërkojnë drejtësi, meritokraci dhe dinjitet. Rinia nuk duhet të jetë spektatore e proceseve politike, ajo duhet të jetë forca që i orienton ato drejt së ardhmes. Vetëm një brez i arsimuar, kritik dhe i pakapur nga interesat partiake mund të ndërtojë institucione të forta dhe një shoqëri më të drejtë.
Populli nuk është pronë e partive politike. Përkundrazi, partitë duhet të jenë në shërbim të popullit. Dhe kur ato harrojnë këtë parim themelor, është detyrë qytetare që t’u kujtohet me votë, me angazhim dhe me ndërgjegje demokratike.

