CEREMONIA E MANIFESTIMIT QENDROR TË KURBAN BAJRAMIT

Sot, në Xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, nën patronazhin e Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, mbajti manifestimin qendror me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit.

Në prani të Kryetarit të Kuvendit të RMV-së, z. Afrim Gashi, muftinjve të BFI-së, përfaqësuesve të muftinive, Ambasadorit të Republikës së Türkiyes në Shkup, drejtorëve të Rijasetit, profesorëve të Fakultetit të Shkencave Islame, drejtorit të Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami, profesorëve të Medresesë, kryetarëve të OJQ-ve, si dhe një numri jashtëzakonisht të madh besimtarësh, u realizua ceremonia qendrore e Kurban Bajramit.

Programi filloi para agimit me lexim të Kuranit Famëlartë, ndërsa faljes së namazit të sabahut i priu Fatih Derdiyok.

Ceremoninë e moderoi drejtori i Sektorit Fetaro-Arsimor, Hfz. Mr. Fejzullah ef. Sadiki, i cili, pas sqarimeve mbi rrjedhën e programit, fjalën ia kaloi korit të SHMI Medreseja “Isa Beu”. Me performancën e tyre të bukur dhe dinjitoze, kori arriti të krijojë një atmosferë të veçantë shpirtërore për xhematin e pranishëm dhe për ndjekësit përmes ekraneve televizive.

Namazit të Bajramit i priu Muftiu i Muftinisë së BFI-së në Kërçovë, Mr. Qamil ef. Rushiti, ndërsa hutben e Kurban Bajramit e mbajti Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.

Në hutben e tij, Reisul Ulema iu drejtua besimtarëve duke u mbështetur në ajetin kuranor:

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.”
El-En’am, 162

Ai theksoi se Kurban Bajrami e bën besimtarin të vetëdijshëm për largimin nga urrejtja, xhelozia, agresiviteti, nënçmimi, diskriminimi dhe përçarja. Sipas tij, kjo festë simbolizon vetëdijen e lartë ndaj Krijuesit, kujdesin për familjen e shëndoshë, afërsinë me njëri-tjetrin, urtësinë në veprime, dashurinë ndaj prindërve, të afërmve dhe familjes, forcimin e lidhjeve ndërnjerëzore, shmangien e konflikteve ndërmjet vendeve dhe kombeve, si dhe mbjelljen e paqes, tolerancës dhe solidaritetit për ngritjen e individit, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

Në fund, duanë përfundimtare të Kurban Bajramit e bëri drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami me çka edhe përfundoi manifestimi i kësaj dite.@

sqShqip