Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj mënyrës së shpërndarjes së buxhetit komunal në Kumanovë, duke akuzuar autoritetet lokale për diskriminim të lagjeve shqiptare në investimet infrastrukturore.
Nga partia thonë se në vend që investimet të orientohen sipas nevojave reale të qytetarëve, po krijohet një dallim i qartë mes lagjeve që trajtohen me prioritet dhe atyre shqiptare që, sipas tyre, po lihen pas dore.
Sipas reagimit, gjatë muajve të fundit janë realizuar dhjetëra projekte infrastrukturore kryesisht në lagje me shumicë maqedonase, si Ajduçka Çeshma, Zeleni Rid dhe Karposh, ndërsa lagjet shqiptare vazhdojnë të përballen me rrugë të paasfaltuara, rrugica të pabetonizuara dhe mungesë të infrastrukturës bazike.
Aleanca për Shqiptarët veçon lagjen “Tode Mendol”, ku jetojnë rreth 20 mijë banorë, shumica shqiptarë, duke theksuar se investimet në këtë zonë mbeten minimale pavarësisht nevojave të mëdha infrastrukturore.
Partia vlerëson se kjo situatë nuk mund të konsiderohet vetëm si neglizhencë administrative, por si shpërndarje e pabarabartë e mjeteve publike dhe diskriminim ndaj një pjese të qytetarëve.
Në reagim përmendet edhe këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë, Huzeir Mustafi, i cili sipas partisë ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për disproporcionin në investimet komunale. Sipas tij, shumica e projekteve infrastrukturore janë realizuar në lagje me shumicë maqedonase, ndërsa lagjet shqiptare kanë përfituar investime minimale.
Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë të plotë për investimet komunale, llogaridhënie nga kryetari i Komunës së Kumanovës dhe rishpërndarje të drejtë të mjeteve publike. Nga partia theksojnë se çdo lagje duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe çdo qytetar të ketë qasje të njëjtë në shërbime dhe investime publike, pa dallim etnie apo zone ku jeton.

