Takimi i parë i ministrave të Punëve të Jashtme të Iniciativës Adriatik-Jon (IAJ) u mbajt sot në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, të organizuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila e ndërmori rolin njëvjeçar të kryesuesit të iniciativës për periudhën 2025-2026.

Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, siç njoftoi korrespondentja e MIA-s, deklaroi se kjo është një iniciativë e rëndësishme rajonale, që bashkon disa vende nga Evropa, jo vetëm nga rajoni i Ballkanit. Midis tyre është edhe Italia, thotë ai, e cila është anëtare e kësaj iniciative dhe merr pjesë në punën e saj.

“Kënaqësi për ne është që e fillojmë javën e punës së Asamblesë së Përgjithshme me një ngjarje të organizuar nga ana jonë. Këtë vit ne kryesojmë këtë iniciativë. Do të mund të flasim për çështje për lidhjen e ndërsjellë ekonomike, çështjet që lidhen me integrimin evropian, rininë, kulturën dhe gjithçka që është e rëndësishme që vendi ynë të pozicionohet mirë në skenën ndërkombëtare. Po ashtu është kënaqësi për ne që jemi mikpritës politikë, ndërsa mikpritësit tanë janë vendas tanë të njohur dhe biznesmenë të suksesshëm që kanë një zinxhir me disa restorante brenda SHBA-së. Dhe kjo, mes tjerash, është një mundësi për ne, edhe krahas se ne promovohemi si shtet, t’i provomojmë edhe biznesmenët e suksesshëm nga vendi ynë në SHBA”, thotë Mucunski në deklaratë me rastin e takimit.

Ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, i cili është gjithashtu pjesë e delegacionit shtetëror, të udhëhequr nga presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, theksoi se IAJ i jep peshë dhe dinamikë shtesë integrimit tonë evropian.

“Iniciativa Adriatik-Jon, së bashku me Strategjinë Adriatik-Jon, të cilën ne si vend e kryesojmë këtë vit, janë shumë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, sepse së bashku me të gjitha vendet kandidate nga rajoni dhe disa shtete anëtare, jemi ulur në të njëjtën tryezë dhe po intensifikojmë më tej bashkëpunimin në tema të caktuara, siç janë turizmi, transporti dhe tema të tjera që synojnë së pari të lidhen në nivel rajonal midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare nga rajoni, e pastaj edhe me tregun e vetëm të BE-së. Pra, iniciativa të tilla janë të mirëseardhura, sepse i japin peshë dhe shpejtësi shtesë procesit tonë eurointegrues”, tha ministri Murtezani.

Me moton “Përforcimi i unitetit rajonal, avancimi i së ardhmes evropiane”, presidenca e Maqedonisë së Veriut e afirmon angazhimin e saj për thellimin e integrimit dhe bashkëpunimit midis shteteve anëtare dhe marrëdhënien e tyre me Bashkimin Evropian. Mucunski e theksoi nevojën për një proces të besueshëm zgjerimi të BE-së, duke vënë në dukje se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një pjesë strategjike e së ardhmes evropiane.

Siç njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, samiti paraqet një moment historik dhe konfirmim të angazhimit të përbashkët për bashkëpunim rajonal, integrimin evropian dhe multilateralizmin konstruktiv.

Në këtë kontekst, u prezantuan prioritetet e presidencës së Maqedonisë së Veriut: përforcimi i integrimit në BE dhe besimi rajonal, transformimi digjital, lidhja më e mirë infrastrukturore, bashkëpunimi kulturor dhe mbështetja për të rinjtë.

Në një kohë pasigurie globale, u dërgua mesazh i qartë: “Uniteti është forca jonë, ndërsa integrimi evropian – qëllimi i përbashkët”.

sqShqip