MPB njoftin se një shofer autobusi dhe një pasagjer janë privuar nga liria në rrethinën e Tetovës, pasi gjatë një kontrolli policor në një autobus që qarkullonte në relacionin Gjermani–Maqedoni janë gjetur 34.965 euro të padeklaruara. Sipas autoriteteve, paratë janë zbuluar gjatë kontrollit të një pasagjeri 20-vjeçar, i cili nuk posedonte dokumentacion për origjinën dhe deklarimin e shumës, ndërsa shoferi i autobusit po ashtu është ndaluar në lidhje me rastin. Rasti është cilësuar si kontrabandë dhe ndaj të dyve pritet të ngriten kallëzime përkatëse.
Njoftimi i plotë i MPB-së:
Sot (24.05.2026), nga ana e nëpunësve policorë të Njësitit Mobil për Masa Kompensuese pranë Departamentit për Çështje Kufitare dhe Migrim, në territorin e SPB Tetovë është ndaluar një autobus “Mercedes”, në pronësi të një agjencie turistike, i drejtuar nga R.F. (37) nga fsh. Dobrosht i Tetovës, i cili qarkullonte në relacionin Gjermani–Maqedoni.
Gjatë kontrollit të autobusit, në rimorkio janë gjetur disa bidonë për të cilët personi nuk posedonte dokumente dhe leje për transport. Ndërsa gjatë kontrollit të njërit prej pasagjerëve, F.I. (20) nga Tearca e Tetovës, janë gjetur pesë zarfe me vlera të ndryshme parash, me vlerë të përgjithshme prej 34.965 eurosh, të cilat ai i kishte futur përmes Pikës Kufitare Tabanoc pa i deklaruar dhe njëkohësisht nuk posedonte asnjë dokument për pronësinë dhe origjinën e parave.
Personat janë privuar nga liria sipas nenit 278 “kontrabandë” të Kodit Penal dhe nenit 29 të Ligjit për Punë Devizore dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse.

