Të nderuar studentë shqiptarë,
Nuk kam dashur të shkruaj publikisht, sepse tash e më shumë se njëzet vite jam larguar nga Maqedonia, jo me dëshirën time, por për shkak të padrejtësive që na bëheshin atëherë dhe të cilat, fatkeqësisht, nuk kanë pushuar deri më sot.
Me keqardhje po e ndjek situatën e krijuar lidhur me kërkesat tuaja legjitime për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në institucionet e arsimit dhe drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Duke ju parë juve sot, po kthehem më shumë se tridhjetë vite pas, në kohën kur edhe unë veproja ashtu siç veproni ju sot. Kam qenë pjesë e organizimeve dhe protestave, brenda dhe jashtë vendit, për të drejtat e shqiptarëve, për legalizimin e Universiteti i Tetovës dhe kundër represionit që ushtrohej ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Më vonë, në periudhën 2003–2006, në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike Kombëtare në Maqedoni, kam ngritur vazhdimisht çështjen e barazisë së plotë të shqiptarëve në të gjitha institucionet shtetërore. Kam propozuar ndryshime rrënjësore për garantimin e barazisë së plotë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Por, fatkeqësisht, projekti ynë kombëtar nuk arriti të realizohej. Në mënyrën më brutale u penguam politikisht dhe, fatkeqësisht, edhe nga disa parti shqiptare. U dëmtuam nga propagandat dhe presionet politike gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, me qëllim që Partisë Demokratike Kombëtare t’i hiqej legjitimiteti politik dhe të shuhej si subjekt politik. Dhe, për fat të keq, këtë edhe e arritën.
Sot, në vitin 2026, ju po kërkoni po ato të drejta që ne i kemi kërkuar dekada më parë. Ju nuk po kërkoni privilegje, por të drejta që ju takojnë.
Ju jeni fëmijët tanë. Edhe pse fizikisht nuk jam më aty, me shpirt gjithmonë do të jem pranë kërkesave tuaja për barazi të plotë, që ju të jetoni me dinjitet në vendin tuaj, pranë familjeve tuaja, dhe të mos detyroheni të mbeteni rrugëve të Evropës, ashtu siç ndodhi me shumë prej nesh.
Mos e humbni shpresën. Luftoni me dinjitet, me dije dhe me këmbëngulje për të drejtat tuaja.
Ju kërkoj falje që nuk munda të bëj edhe më shumë. Kam dashur shumë, por nuk më lanë.
Me respekt dhe solidaritet të sinqertë.
Basri Haliti..

