Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, deri më 12 maj 2026 në orën 10:00 janë pranuar gjithsej 59,415 kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike.
Nga ky numër:
* 49,493 aplikime janë miratuar;
* 4,944 janë refuzuar;
* 4,957 vazhdojnë të jenë në proces verifikimi.
Të dhënat tregojnë se shumica e votuesve të regjistruar kanë zgjedhur votimin përmes postës jashtë Kosovës, ndërsa një pjesë kanë zgjedhur votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Sipas KQZ-së:
* 36,386 qytetarë janë regjistruar për dërgimin e fletëvotimeve në adresat postare jashtë Kosovës;
* 11,782 kanë zgjedhur votimin fizik në ambasada dhe konsullata;
* 1,325 do të dërgojnë fletëvotimet në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Interesimi më i madh për regjistrim vjen nga diaspora në Gjermani, ku janë regjistruar 24,624 votues. Pas saj renditen Zvicra me 11,063 votues, Franca me 2,172, Suedia me 2,058, Austria me 1,508, Mbretëria e Bashkuar me 1,337, SHBA me 1,115 dhe Italia me 1,046 votues të regjistruar.
Afati për aplikim për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës mbetet i hapur deri më 17 maj 2026, që do të thotë se numri do të rritet.
Mes mërgimtarëve mbretëron frikë se Kosova mund të futet në krizë politike, shkruan Lideri.mk, prandaj pritet që mbi 200 mijë do të mobilizohen dhe do të vijnë për të votuar në vendlindje që t’a shpëtojnë nga thellimi i krizës.

