BDI kërkon hetim ndaj drejtorit të përgjithshëm të MEPSO-s, Burim Latifi, duke akuzuar se si pasojë e vendimeve të tij shteti detyrohet të paguajë 6 milion euro dëmshpërblim. Sipas BDI-së bëhet fjalë për anulim të një kontrate ekzistuese me kompaninë Energoinvest nga Sarajeva që e ka zëvendësuar me Elnos BL Dooel nga Banja Luka, kompani për të cilën thonë se është e lidhur ngushtë me rrjetin e interesave të Milorad Dodikut.
“Tribunali ndërkombëtar DAB, që vepron sipas rregullave FIDIC, i ka rrëzuar të gjitha kundërkërkesat e MEPSO-s prej 19.3 milionë eurosh dhe i ka njohur Energoinvestit të drejtën në 6 milionë euro, që do të dalin nga buxheti i shtetit nga xhepat e qytetarëve. BDI konstaton se Burim Latifi, i emëruar në krye të një ndërmarrjeje strategjike shtetërore mbi baza familjare dhe politike, ka marrë vendime që kanë dëmtuar drejtpërdrejt interesin publik dhe kanë futur një kompani të lidhur me Dodikun në infrastrukturën kritike energjetike të një shteti anëtar të NATO-s”- thonë nga BDI.
Akuzat e BDI-së i hedh poshtë Shoqëria Aksionare MEPSO. Nga atje thonë se procedura për përzgjedhjen e kontraktorit për projektin e ndërtimit të linjës interkonektive mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është zhvilluar në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, rregullat e BERZH dhe legjislacionin kombëtar në fuqi.
“SHA MEPSO mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj zbatimit transparent, ligjor dhe të përgjegjshëm të të gjitha procedurave, me qëllimin përfundimtar – realizimin e suksesshëm dhe në kohë të projektit për interkoneksion elektroenergjetik me Republikën e Shqipërisë”– nënvizojnë nga MEPSO.
VLEN nga ana tjetër akuzon BDI-në për bllokim të këtij projekti, keqpërdorime dhe për përhapje të dezinformatave. Nga atje nënvizojnë se BDI po bën manipulim të qëllimshëm duke dashur që procedurën para DAB ta paraqes si një vendim ekzekutiv, ndërkohë që sipas tyre, është vetëm mekanizëm para-arbitrazhi, i cili nuk përbën vendim përfundimtar.
“Projekti që sot e sulmojnë ishte në një gjendje pothuajse tërësisht të bllokuar, me realizim prej vetëm 4% në një periudhë katërvjeçare. Kur VLEN mori përgjegjësinë, kontrata tashmë kishte skaduar, pa kushte reale për vazhdim dhe pa asnjë aktivitet ndërtimor në terren. BDI do të përgjigjet për kriminalitet dhe bllokim të projektit.
BDI do të duhet të përgjigjet pse anëtari i tyre partiak Nefi nga Ohri ishte nënkontraktues kryesor në projekt që shërbente vetëm për vjelje parash nga MEPSO dhe si është e mundur që pajisjet për këtë projekt ndodheshin në depot e Nefiut nga Ohri,” theksojnë nga VLEN
Nga VLEN shtojnë se dëmi është bërë pikërisht nga BDI-ja, dhe ata duhet të përgjigjen para organeve kompetente për keqpërdorime. Nga atje nënvizojnë se gjatë kohës së BDI-së në pushtet, në vend të ndërtimit, ishin zhvilluar vetëm negociata për kërkesa shtesë financiare, është kërkuar aneks prej pothuajse 50 për qind të vlerës së kontratës apo rreth 8 milion euro më shumë, gjë që sipas tyre është në kundërshtim me kushtet e kontratës. Sa i përket përzgjedhjes së kontraktorit të ri, nga VLEN theksojnë se bëhet fjalë për një kompani të dëshmuar, me përvojë shumëvjeçare, që realizon projekte në më shumë se 80 shtete dhe operon në tregjet më të rrepta evropiane./Alsat.mk.

