Maqedoni

Bekim Pocesta mirëpritet në gjigantin ekonomik dibran “Knauf”

Në territorin e Komunës së Dibrës ndodhet reliefi i vetëm i gipsit në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Minerali i gipsit është i një cilësie të lartë botërore. Prej vitit 1997 e deri më sot, fabrika e cila nxjerr dhe përpunon këtë pasuri tokësore është kompania gjermane me renome “Knauf”. Kjo fabrikë prej në themelimin e saj konsiderohet si fuqi dhe bartëse kryesore e ekonomisë vendore.
Në kuadër të përpilimin të programit për fushatë zgjedhore, me qëllim që të merret një mendim konstruktiv në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit, Kandidati potencial për Kryetar Komune nga koalicioni “Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa” z. Bekim Pocesta, bashkë me kandidatët për këshilltarë Komunal të këtij koalicioni në krye me z. Xhemail Çupi, bënë një takim frytdhënës me udhëheqësinë e fabrikës së gipsit “Knauf” në Dibër. Takimi ishte me karakter informativ dhe jo propagandistik. Nga ajo që pamë dhe na u prezantua, kjo fabrikë sot konsiderohet model pozitiv dhe shpresëdhënës, andaj rinia dibrane nuk ka nevojë të pretendojë Evropën nëse atë e ka në Dibër. Fabrika posedon objekte tërësisht të reja dhe moderne, me një rrjet krejtësisht të ri të infrastrukturës, me objekte të reja prodhimi dhe magazine dhe me një ndërtesë administrative me standarde evropiane. Investimet e deritanishme arrijnë në rreth 27 milionë euro, por ajo që të lë përshtypje është fakti se ka gjithsej 190 punonjës, por ka tendencë për të rritur akoma më shumë kapacitetet njerëzore, pavarësisht investimeve teknologjike.
Duke qenë se jemi në prag të hapjes së “Rrugës së Arbërit”, në të gjitha SWOT analizat e bëra deri më sot, Fabrika “Knauf” integrohet në kategorinë e “fuqisë” ekonomike lokale dhe rajonale, por edhe në kategorinë e “mundësive” për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik, por duhet theksuar se faktorët e jashtëm, siç janë: mungesa infrastrukturës përkatëse komunale, mungesa e terminalit doganor, migrimi i fuqisë punëtore etj., konsiderohen si “rreziqe” potenciale për zhvillimin e kësaj fabrike dhe rrjedhimisht edhe për ekonominë vendore.
“Knauf” ka patur bashkëpunime të mira me institucionet përkatëse komunale, por ne garantojmë se në të ardhmen këto bashkëpunime të jenë të shkëlqyeshme, në të mirë të përgjithshme.