Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur vendimin për tre të akuzuarit për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, duke i dënuar me masa të rënda për veprat që lidhen me terrorizmin dhe cenimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të trupit gjykues, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq është dënuar me 30 vite burg. Të tre u shpallën fajtorë për përfshirjen në sulmin e 24 shtatorit, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Të dënuarit janë pjesë e një grupi prej 45 personash ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë, ku përfshihet edhe Millan Radoiçiq, i cilësuar nga Prokuroria si drejtues i grupit. Vendimi vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor, gjatë të cilit janë paraqitur prova mbi organizimin dhe realizimin e sulmit që tronditi veriun e Kosovës.

