Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar sërish tonet ndaj Iranit, duke deklaruar se SHBA ka kapacitetin për të goditur dhe paralizuar vendin brenda një kohe shumë të shkurtër, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për emisionin “Sunday Morning Futures” në Fox News, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara mund të neutralizojnë Iranin “brenda një dite”, duke theksuar se në shënjestër mund të jenë centralet elektrike dhe e gjithë infrastruktura energjetike e vendit.
Sipas tij, goditja do të përfshinte impiantet e prodhimit të energjisë dhe objektet kryesore civile, të cilat i konsideroi me rëndësi strategjike.
“Mund ta shkatërroj Iranin brenda një dite”, deklaroi Trump gjatë intervistës.
Ai shtoi më tej se, nëse do të merrej një vendim i tillë, dëmet do të ishin aq të mëdha sa rindërtimi do të kërkonte vite të tëra.
Këto deklarata vijnë pas dështimit të raundit të fundit të negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku palët nuk arritën marrëveshje për çështjet kyçe, veçanërisht mbi programin bërthamor iranian dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit.
Trump u shpreh gjithashtu se pret që Irani të rikthehet në tryezën e bisedimeve dhe të pranojë kushtet e SHBA-së, duke thënë se Teherani “nuk ka asnjë kartë në dorë”.

