Kosovë

Arritën automjete e blinduara ushtarake nga SHBA-ja në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka pranuar 55 automjete të blinduara ushtarake (Armored Security Vehicle), donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të këtij donacioni në Kazermën “Adem Jashari”, morën pjesë krerë të institucioneve të larta të vendit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së Kosovës.

“Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm është duke luajtur partneri ynë i pazëvendësueshëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se SHBA-ja së bashku me shtetet e tjera partnere vazhdojnë të jenë kontribuues aktiv në çdo fazë të zhvillimit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mbështetja me automjetet e blinduara nga SHBA-ja për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kryeministrit Kurti, është vetëm njëra nga shumë fusha, ku Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë ndjeshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitetet operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë”, shtoi kryeministri Kurti.