Enti Shtetëror i Revizionit njoftoi se ka gjetur dobësi në planifikimin dhe zbatimin e prokurimit publik në Ministrinë e Marrëdhënieve mes Bashkësive, në kohën kur ajo udhëhiqej nga Artan Grubi.
Kjo zyrë tha në një komunikatë, se ka bërë një kontrollë të përputhshmërisë së prokurimit publik në këtë ministri për vitin 2023 dhe “identifikoi dobësi në planifikimin e prokurimit publik, dhënien e kontratave të prokurimit publik, monitorimin dhe verifikimin e mallrave dhe shërbimeve të ofruara, si dhe dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm mbështetës.”
Sipas kësaj zyreje dobësitë e gjetura kanë të bëjnë me: fazën e planifikimit bazuar në të dhëna historike; mungesën e analizës së nevojave reale; hulumtimin e kushteve të tregut dhe zbatimin e kontratave pa dokumentacion të besueshëm të bashkangjitur.
“Auditimi zbuloi se Ministria nuk kishte miratuar një akt të brendshëm që rregullonte përgjegjësitë në procesin e prokurimit publik. Vlera e parashikuar e prokurimeve u përcaktua vetëm në bazë të të dhënave historike, pa një analizë të kushteve të tregut dhe konsumit aktual. Kjo praktikë rezultoi në planifikim jorealist, me 45% të kontratave, d.m.th. nga një total prej 20 kontratash, 9 kishin zbatim të ulët (nën 55% të vlerës së rënë dakord), ndërsa 1 kontratë nuk u zbatua fare,” tha kjo zyre.
Sipas komunikatës auditimi i 18 procedurave të zbatuara identifikoi “mospërputhje në zbatimin e dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik, të cilat ndikojnë në transparencën dhe rregullsinë e procedurave.”
“Kjo është konstatuar se vetëm deklaratat e konfliktit të interesit të kryetarit të komisionit ngarkohen në Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik, ndërsa deklaratat e anëtarëve të tjerë nuk publikohen. Në tetë procedura, megjithëse njoftimi dhe dokumentacioni i tenderit parashikonin lidhjen e një marrëveshjeje kornizë, u lidhën kontrata individuale. Disa nga njoftimet për kontratat e lidhura dhe të zbatuara nuk u publikuan brenda afatit të përcaktuar me ligj, dhe katër kontrata u nënshkruan para dorëzimit të një garancie bankare, megjithëse është kusht për lidhjen e tyre,” thuhet në raportin e zyres.
Më tutje, zyra thotë se janë gjetur mospërputhje edhe në “zbatimin e marrëveshjeve për festimin e ngjarjeve të rëndësishme (“Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Dita e Alfabetit Shqip”), në një vlerë totale prej 9.6 milionë denarësh.”
“Për ngjarjet e lartpërmendura u paguan fatura në vlerë prej mbi 5.2 milionë denarësh, por nuk u bashkëngjit asnjë dokumentacion mbështetës (“specifikime për qëndrime netësh, lista të mysafirëve, kontrata për ekspertë të angazhuar”) që do të konfirmonte se shërbimet janë kryer në të vërtetë dhe do të përbënte bazë për regjistrimin e transaksioneve të lartpërmendura në librat afaristë. Përveç kësaj, dokumentacioni i tenderit nuk përcakton sasi të sakta të mallrave dhe shërbimeve, vlera e parashikuar bazohet në të dhëna historike pa analiza të hollësishme, nuk është emëruar asnjë person për të mbikëqyrur ekzekutimin e kontratave, dhe raportet mbi aktivitetet e realizuara nuk janë nënshkruar nga personi përgjegjës. Kjo situatë e bën të pamundur të konfirmohet se fondet e shpenzuara janë në përputhje me nevojat dhe se ato janë përdorur në përputhje me parimet buxhetore,” zyra e kontrollit shtetëror.
Sipas komunikatës, janë gjetur parregullësi në furnizimin e pajisjeve IT me një kontratë të nënshkruar me vlerë 999 mijë denarë, meqë në ofertë “nuk u dhanë specifikime teknike të detajuara, as një evidencë për pranimin cilësor dhe sasior të pajisjeve.”
Pastaj për mirëmbajtjen e sistemit të ftohjes dhe ngrohjes për të cilin u lidh një kontratë me vlerë 600 mijë denarë, “nuk u dorëzuan urdhra pune të nënshkruara nga një person i autorizuar për shërbimet me vlerë 587 mijë denarë, gjë që nuk lejon konfirmimin se shërbimet janë kryer në të vërtetë.”
Parregullësitë e tjera sipas kësaj zyre vazhdojnë me furnizimit të materialeve zyre për të cilat u lidh një kontratë në vlerë prej 732 mijë denarë, nga të cilat u realizuan 583 mijë denarë (79%), pastaj për larje të automjeteve në vlerë prej 354 mijë denarësh, në prokurimin e produkteve të higjienës dhe dezinfektimit në vlerë prej 413 mijë denarësh. Sipas gjetjeve të zyres në këtë rast u përcaktua se çmimet jashtëzakonisht të ulëta (5 dhe 9 denarë) të një ofertuesi nuk ishin të justifikuara, dhe nga një total prej 29 artikujsh, u blenë vetëm 5 me çmimin më të lartë.

