KUR HUMBI VLERËN MËSUESI, FILLOI TË RRËNOHET SHOQËRIA

(DIKUR TË ISHE MËSUES
ISHTE KRENARI)

Etem Xheladini

Dikur, të ishe mësues nuk ishte thjesht profesion. Ishte nder, ishte autoritet, ishte mision i shenjtë. Ishte përgjegjësi morale ndaj kombit dhe së ardhmes.
Çdo i moshuar, çdo qytetar që ka qenë nxënës, e më pas prind, e di shumë mirë, profesioni i mësuesit konsiderohej ndër më të shenjtit në shoqëri, e me plot të drejtë. Sepse shoqëria nuk ndërtohet në parlament, por në bankat shkollore. Ajo ndërtohet që nga dita e parë kur fëmija shkel në shkollë, kur ulet për herë të parë në bankë, kur nis të formohet si njeri, si qytetar, si pjesë e shoqërisë. Që në ditën e parë, fëmija mësonte rregullin dhe disiplinën: të fliste me leje, të ishte i rregullt, të mbante uniformën, të kuptonte se mësuesi është autoritet moral dhe intelektual.
Mësohej se dija ishte vlerë, se shkolla ishte tempull i dijes, dhe se prindi dhe shkolla ishin aleatë natyrorë, jo kundërshtarë në konflikt të përhershëm. Mësuesi respektohej kudo, jo vetëm në klasë, por edhe në rrugë, në odë, në publik, në shoqëri. Fjala e tij kishte peshë, prania e tij kishte dinjitet. Ai ishte shembull, busull morale, orientim për brezat.
Sot? Sot realiteti është alarmant dhe i dhimbshëm!
Që nga dita e parë e shkollës:
pa uniformë, pa disiplinë, pa respekt. Autoriteti i mësuesit është zbehur deri në mjerim, ndërsa prindi dhe shkolla shpesh janë në përplasje, jo në bashkëpunim. Mësuesi sulmohet, shpërfillet, poshtërohet, dhe sistemi hesht. Tekstet shkollore, në shumë raste, janë të mbushura me deformime të rënda, konfuzion ideologjik dhe mungesë totale vizioni edukativ. Arsimi është shndërruar në formalitet, ndërsa edukimi është lënë në harresë. Dhe pastaj shtrohet pyetja hipokrite, nesër kë do ta fajësojmë për një shoqëri të degjeneruar, kë do ta mbajmë përgjegjës për mungesën e vlerave, respektit dhe moralit?
Përgjigjja është e qartë dhe e dhimbshme. Shoqëria nuk shembet brenda natës, ajo rrënohet pikërisht atëherë kur rrënohet figura e mësuesit, kur arsimi humb shenjtërinë dhe kur edukimi trajtohet si statistikë.
Fajtorët janë të qartë, sistemi arsimor i ndërtuar nga pushtete pa vizion, pa koncept dhe pa përgjegjësi morale. Një sistem që ka prodhuar kaos, jo vlera, diplomë, jo dije, zhurmë, jo edukim.

sqShqip