Pas më shumë se 300 vitesh larg trojeve të të parëve, shqiptarët e Ukrainës vijojnë të ruajnë me fanatizëm gjuhën, zakonet dhe identitetin e tyre kombëtar. Në fshatin Karakurt, në jug të Ukrainës, jeton një komunitet i tërë shqiptarësh që, pavarësisht distancës dhe kohës, e ndjejnë Shqipërinë si shtëpinë e tyre.

Tetiana Siupiur, e njohur edhe si Mirabelle Supure, është një nga pasardhëset e këtij komuniteti. Ajo tregon se është rritur me shpirtin shqiptar dhe se lidhja me atdheun e stërgjyshërve të saj është shumë e fortë. Udhëtimi i saj i parë në Shqipëri në vitin 2007 ishte një përjetim i paharrueshëm, ku ndjeu se gjuha dhe kultura i bashkon edhe pas kaq shumë vitesh.

Fëmijët e Karakurtit mësojnë shqipen bashkëkohore në shkollë dhe njihen me historinë e Shqipërisë, por shumica prej tyre nuk kanë pasur kurrë mundësinë të shkelin në tokën shqiptare. Për këtë arsye, komuniteti ka nisur një projekt për të realizuar një udhëtim veror në Shqipëri për 12 fëmijë dhe 4 kujdestarë, që do të zgjasë 12 ditë.

Udhëtimi do të përfshijë vizita në qytete historike si Tirana, Kruja, Berati, Apollonia, Vlora dhe pushime në bregdet. Qëllimi është që këta fëmijë të njohin nga afër vendin për të cilin kanë dëgjuar vetëm nga librat dhe rrëfimet e të moshuarve.

Komuniteti shqiptar në Ukrainë u shpërngul fillimisht nga zonat e Korçës dhe Pogradecit për shkak të përndjekjeve osmane, më pas jetoi për rreth 200 vjet në Bullgari dhe përfundoi në Ukrainë. Sot, rreth 50 mijë shqiptarë jetojnë atje, duke ruajtur gjuhën dhe traditat.

Apeli i tyre është i thjeshtë, por prekës: të ndihmohen këta fëmijë që ëndrra e tyre për të vizituar Shqipërinë të bëhet realitet.

sqShqip