Shkruan: Nefail Emini

Bota po përjeton një zhvendosje të thellë dhe gjithnjë e më të intensifikuar gjeopolitike, e karakterizuar nga fragmentimi i aleancave tradicionale dhe lindja e konfigurimeve të reja strategjike. Në njërën anë, po vërehen përplasje serioze brenda aleancave ekzistuese, të cilat rrezikojnë kohezionin dhe qëndrueshmërinë e tyre, ndërsa në anën tjetër po konsolidohen partneritete të reja, të ndërtuara mbi interesa pragmatike dhe kalkulime të reja të sigurisë.

Në këtë kontekst, Mesdheu Lindor dhe Lindja e Mesme janë shndërruar në një nga arenat më të ndjeshme të rivalitetit gjeopolitik global. Ky rajon po ndikon drejtpërdrejt në riformësimin e aleancave, duke sjellë bashkëpunime që më herët nuk ekzistonin dhe, njëkohësisht, duke thelluar ndarjet mes aleatëve tradicionalë. Përveç pozitës së tij strategjike si nyje lidhëse mes Evropës, Azisë dhe Afrikës, Meshdeu Lindor ka fituar rëndësi të jashtëzakonshme edhe për shkak të zbulimit të rezervave të konsiderueshme të hidrokarbureve gjatë dekadës së fundit, me parashikime që sugjerojnë se potenciali energjetik i tij është shumë më i madh sesa ai i identifikuar deri më tani.

Një nga zhvillimet më domethënëse në këtë drejtim është formalizimi i bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Izraelit, Greqisë dhe Qipros. Edhe pse ky akt përbën një formalizim institucional të një bashkëpunimi që ekzistonte prej vitesh, ai ka peshë të madhe gjeopolitike. Të tre këto shtete e perceptojnë Turqinë si një sfidë serioze për interesat e tyre strategjike në Mesdheun Lindor, veçanërisht në dimensionin energjetik dhe të sigurisë detare. Për pasojë, ky bosht nuk duhet parë thjesht si një aleancë rajonale, por si pjesë e një arkitekture më të gjerë balancimi të fuqisë.

Në këtë kuadër, përfshirja potenciale e Indisë në këtë bosht strategjik paraqet një zhvillim me implikime të thella gjeopolitike. Nëse Nju Delhi do t’i bashkohej këtij konfigurimi, do të krijohej një bosht strategjik që do të shtrihej nga Mesdheu Lindor deri në Oqeanin Indian, duke ndërlidhur interesa të sigurisë, energjisë dhe tregtisë në një hapësirë të gjerë gjeografike. Duke marrë parasysh fuqinë demografike, ekonomike dhe ushtarake të Indisë, si dhe aspiratat e saj për t’u konsoliduar si një fuqi globale, një përfshirje e tillë do t’i mundësonte asaj depërtimin strategjik në një rajon që tradicionalisht ka qenë jashtë orbitës së saj direkte të ndikimit.

Paralelisht me këtë zhvillim, në Lindjen e Mesme po merr formë një tjetër konfigurim strategjik, i cili në diskursin publik shpesh përkufizohet si “NATO-ja Islamike”. Ky bashkëpunim, i cili tashmë është zyrtarizuar nga Arabia Saudite dhe Pakistani, ndërkohë që negociatat përfshijnë edhe Turqinë, synon krijimin e një arkitekture të re sigurie në botën myslimane. Nëse kjo aleancë materializohet plotësisht, ajo do të krijonte një trekëndësh të fuqishëm strategjik Islamabad–Riad–Ankara. Pakistani, si fuqi bërthamore dhe demografike, Arabia Saudite si superfuqi energjetike dhe financiare, dhe Turqia si shtet me zhvillim të avancuar të industrisë ushtarake, do të plotësonin njëra-tjetrën në mënyrë komplementare, duke ndërtuar një bllok me kapacitet real për të ndikuar zhvillimet jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë.

Në të njëjtën kohë, po shfaqen edhe ndarje të reja mes ish-aleatëve tradicionalë të Gjirit Persik. Marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat historikisht kanë qenë të afërta, janë tensionuar ndjeshëm për shkak të përplasjeve të interesave gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Këto tensione u manifestuan qartë në konfliktin e Jemenit, ku dy shtetet mbështetën palë të kundërta, duke i dhënë fund në praktikë bashkëpunimit të tyre strategjik.

Në këtë kontekst, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shfaqen si aktorë që kërkojnë të balancojnë zhvillimet e reja. Nju Delhi e sheh afrimin mes Arabisë Saudite dhe Pakistanit si një kërcënim të drejtpërdrejtë për interesat e tij strategjike, ndërsa Abu Dabi synon të kufizojë ndikimin rajonal të Riadit. Për pasojë, një aleancë mes Indisë, Emirateve dhe potencialisht Izraelit duket gjithnjë e më e mundshme, veçanërisht duke marrë parasysh interesat e përbashkëta dhe perceptimet e tyre të sigurisë. Izraeli e percepton Turqinë si rival strategjik, Emiratet e shohin Arabinë Saudite si konkurrent rajonal, ndërsa India e konsideron Pakistanin kërcënimin e saj kryesor.

Lindja e Mesme e sotme, në shumë aspekte, i ngjan Evropës para Luftës së Parë Botërore: shtetet po rreshtohen në blloqe rivale, po ndërtojnë aleanca të bazuara në frikë dhe interesa, dhe po përgatiten për një konkurrencë gjithnjë e më të ashpër gjeopolitike. Ky proces, në mënyrë të pashmangshme, do të çojë në rritje të tensioneve dhe përplasje të interesave strategjike, duke e bërë rajonin një nga pikat më kritike të rendit ndërkombëtar bashkëkohor.

sqShqip