Etem Xheladini

Sot, kur shënohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit, rikthehemi me respekt dhe ndjeshmëri te një e kaluar jo fort e largët, kur libri në gjuhën amtare shqipe ishte i rrallë dhe shpeshherë i ndaluar. Në periudha të caktuara historike, shumë prej veprave të rilindasve tanë u censuruan nga pushtetet e kohës, me synimin për të penguar përhapjen e dijes dhe vetëdijes kombëtare.
Ky realitet na shtyn të reflektojmë thellë mbi fuqinë e fjalës së shkruar dhe mbi rolin thelbësor që libri ka luajtur dhe vijon të luajë në formësimin e mendimit njerëzor, jo vetëm për popullin tonë, por për mbarë njerëzimin. Libri nuk është thjesht një burim informacioni, ai është një akt rezistence, një hapësirë e lirë ku mendimi kultivohet dhe ndërgjegjja zgjohet.
Me bindjen se librat që lexojmë ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si mendojmë, si e kuptojmë botën dhe si marrim vendime, bëhet e qartë se libri mbetet një mjet i pazëvendësueshëm reflektimi dhe zhvillimi intelektual. Për këtë arsye, angazhimi ynë, e veçanërisht i institucioneve përkatëse dhe i brezit të ri, duhet të jetë i palëkundur, të mbështesin krijuesit, të mbrojnë të drejtat e autorit dhe të promovojnë kulturën e leximit si një vlerë themelore shoqërore.
Mesazhi për të rinjtë është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: mos ndaloni së lexuari, jo vetëm si lexues pasivë apo kritikë, por si bashkëkrijues të mendimit. Le të shërbejë libri si pikënisje për ide të reja, për dialog të hapur dhe për një shoqëri më të ndërgjegjshme e më të zhvilluar.

sqShqip