Angazhimi i Shqipërisë në këtë strukturë, sipas Kryeministrit Rama, përbën një nder dhe një përgjegjësi për vendin në skenën ndërkombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka përcjellë zyrtarisht Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, përgjigjen pozitive ndaj ftesës për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, një nismë e re ndërkombëtare e themeluar me synimin për të adresuar konfliktet globale dhe ndërtimin aktiv të paqes.
Në një reagim publik, Kryeministri Rama bëri të ditur se angazhimi i Shqipërisë në këtë strukturë do t’i përcillet së shpejti Kuvendit të Shqipërisë për miratim, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe ligjore.
Në letrën drejtuar Presidentit Trump, Rama shpreh vlerësimin e tij për, siç e cilëson, “udhëheqjen vizionare” të Presidentit amerikan në themelimin e Bordit të Paqes, si dhe falënderon për ftesën personale drejtuar atij dhe Shqipërisë për të qenë anëtare themeluese e kësaj nisme.
Kryeministri thekson se në një kohë kur konfliktet dhe përçarjet dominojnë skenën ndërkombëtare, paqja nuk mund të mbetet objekt deklaratash apo debatesh të pafundme politike, por duhet të ndërtohet në mënyrë aktive dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

