Rritja e ndjeshme e qarkullimit në vendkalimin kufitar “Bllatë” lidhet drejtpërdrejt me vënien në funksion të Rrugës së Arbërit, një projekt madhor i Qeverisë së Shqipërisë, i cili ka shkurtuar ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit mes Dibrës dhe Tiranës

Vjollca SADIKU

Dibër, 16 janar – Gjatë vitit 2025, në vendkalimin kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në afërsi të Dibrës, është shënuar një frekuencë rekorde e udhëtarëve, pothuajse dyfish më e lartë krahasuar me vitin paraprak. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të siguruara për gazetën KOHA, në periudhën janar-dhjetor 2025, në të dy drejtimet e këtij vendkalimi kufitar janë evidentuar gjithsej 1.426.336 udhëtarë. Prej tyre, 732.259 janë regjistruar në hyrje, ndërsa 694.107 në dalje. Krahasuar me vitin 2024, kur numri i udhëtarëve ka qenë 834.355, rritja është gati dyfish. Ndërkohë, në vendkalimin e dytë kufitar në afërsi të Dibrës, me karakter lokal “Xhepisht-Trebisht”, i cili funksionon nga ora 06:00 deri në 18:00 dhe shërben për banorët e zonave kufitare të të dy shteteve, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 47.023 udhëtarë. Në hyrje janë evidentuar 23.765, ndërsa në dalje 23.258 udhëtarë.

Një vit më parë, në vitin 2024, ky vendkalim ishte frekuentuar nga 51.081 udhëtarë, çka tregon një rënie të lehtë të qarkullimit, pasi një pjesë e banorëve të fshatrave shqiptare të rajonit të Gollobordës kanë filluar të përdorin vendkalimin “Bllatë”.

Rritja e ndjeshme e qarkullimit në vendkalimin kufitar “Bllatë” lidhet drejtpërdrejt me vënien në funksion të Rrugës së Arbërit, një projekt madhor i Qeverisë së Shqipërisë, i cili ka shkurtuar ndjeshëm distancën dhe kohën e udhëtimit mes Dibrës dhe Tiranës. Me ndërtimin e kësaj rruge, udhëtimi nga Dibra në Tiranë realizohet për rreth një orë, ndërsa gjatësia e aksit rrugor është vetëm 74 kilometra, për dallim nga më parë, kur rruga ishte rreth 180 kilometra.

Kjo infrastrukturë e re ka mundësuar lëvizje më të shpeshta si për shtetasit shqiptarë, ashtu edhe për ata të Maqedonisë së Veriut, duke rritur ndjeshëm komunikimin dhe shkëmbimet mes dy anëve të kufirit. Për shkak të fluksit të shtuar, sidomos gjatë periudhave të ngarkuara, nuk janë të rralla as pritjet në kufi. Pjesa më e madhe e udhëtarëve vijnë nga zonat kufitare të të dy vendeve, por ka edhe një numër të konsiderueshëm udhëtarësh nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Duke marrë parasysh rritjen drastike të qarkullimit në këtë vendkalim, pushtetet lokale të Dibrës dhe Peshkopisë kanë intensifikuar përpjekjet për të hapur bisedime me qeveritë në Shkup dhe Tiranë, me qëllim që edhe në vendkalimin “Bllatë” të zbatohet sistemi kufitar “Një ndalesë – një kontroll”. Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, dhe kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Rahim Spahiu, gjatë takimit të fundit të mbajtur në Dibër, theksuan se zbatimi i këtij sistemi do të lehtësonte ndjeshëm qarkullimin dhe do të reduktonte pritjet në kufi. Rritjen e frekuencës së udhëtarëve, kryetari i Dibrës, Fisnik Mela, e ka vlerësuar si një zhvillim shumë pozitiv për komunën, duke theksuar se kjo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turistik dhe social mes dy vendeve. (koha.mk)

sqShqip