LAPSI QE I PARI, NJERIU QË E PASON

Etem Xheladini

Kur thuhet se Zoti e krijoi këtë botë dhe gjithçka që ka në tokë e në qiell e krijoi për njeriun, kjo nuk është vetëm një pohim besimi, por edhe një tezë filozofike e thellë mbi qëllimin e ekzistencës. Por mes gjithë këtyre krijesave dhe mjeteve, lind një pyetje që trazon mendjen: pse lapsi u krijua para njeriut?
Kjo nuk duhet kuptuar thjesht në kuptimin literal, por si një simbol madhor. Lapsi përfaqëson mendimin, dijen, vetëdijen, përgjegjësinë. Ai është mjeti me të cilin njeriu shkruan historinë e vet, por edhe fatin e tij. Zoti nuk e la njeriun të zbresë në këtë botë duarthatë; përkundrazi, ia përgatiti mjetin që të mendojë para se të veprojë, të peshojë para se të gjykojë dhe të shkruajë para se të flasë.
Populli ynë e ka thënë bukur: “ta vësh lapsin”, “ta çesësh lapsin”, që do të thotë të mos nxitosh, të mos veprosh me inat, por me mendje të kthjellët. Sepse çdo veprim i pamenduar është një plagë që shoqëria ia hap vetes.
“Jeta pa dituri është si pema pa fryte, apo si një luftë pa armë.”
Kjo nuk është vetëm një thënie popullore, por një ligj i jetës. Prandaj nuk është aspak rastësi që në Librin e Shenjtë, në Kur’anin famëlartë, fjala e parë që i drejtohet njeriut është: “Lexo!”
Lexo për të kuptuar, lexo për të njohur, lexo për të mos u mashtruar, lexo për të mos u bërë rob i errësirës.
Ky urdhër hyjnor është themeli i çdo qytetërimi të vërtetë. Ai i dha dijes status të shenjtë dhe e bëri lapsin një mjet adhurimi, sepse përmes tij njeriu i afrohet së vërtetës.

Por sot, ku jemi?

Dikur nuk kishim shkolla, universitete, institute shkencore e as institucione fetare. Por kishim etje për dije. Kishim njerëz që sakrifikonin jetën për një shkronjë shqipe, për një libër, për një medrese ku mësohej feja në gjuhën amtare. Armiku e dinte shumë mirë, një popull i ditur nuk sundohet lehtë, prandaj luftonte arsimimin, librin, lapsin.
Sot, ironia e historisë është e dhimbshme. I kemi shkollat, universitetet, medresetë, bibliotekat, por i kemi bosh. Jo se nuk kemi mundësi, por sepse kemi humbur vullnetin. Bibliotekat po shndërrohen në depo pluhuri, librat po mbeten të pashfletuar, ndërsa shtëpitë tona po mbushen me ekrane, por jo me dije.

Po ku po na çon kjo amulli?

Shkenca moderne na mëson se truri i njeriut zhvillohet përmes leximit, analizës dhe reflektimit të thellë. Teknologjia, e përdorur drejt, është mjet i fuqishëm për përhapjen e dijes. Por e përdorur pa kriter, ajo shndërrohet në armë që mpin mendjen, shkurton vëmendjen dhe zbraz shpirtin. Sot po shohim një brez që di të rrëshqasë gishtin mbi ekran, por ka vështirësi të lexojë një faqe libri.
Ky nuk është përparim, është regres i maskuar si modernitet.
Kur lapsi zëvendësohet nga shkujdesja, kur libri zëvendësohet nga zbavitja boshe, shoqëria humb busullën. Dhe një shoqëri pa busull është e destinuar të endet pa drejtim.
Prandaj sot më shumë se kurrë kemi nevojë për vetëdijesim. Të rikthehemi te libri, te dija, te lapsi. Të kuptojmë se zhvillimi nuk matet me shpejtësinë e internetit, por me thellësinë e mendimit. Se liria nuk ruhet me zhurmë, por me dije. Dhe se e ardhmja nuk ndërtohet me harresë, por me përgjegjësi.

Koha për t’u zgjuar është tani. Sepse kur lapsi hesht, errësira flet.

sqShqip