Anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë mbledhur të martën. Disa prej tyre kanë thënë se takimi është konsultativ për t’i analizuar rezultatet e zgjedhjeve.
“Është takim konsultativ”, ka thënë sekretari i partisë, Imri Ahmeti, në hyrje të mbledhjes. “Ne kemi takim për çështjet tona të brendshme të partisë. Për media dhe për publikun pas takimit do të kemi një deklarim…”.
Edhe deputetja më e votuar e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se në këtë mbledhje do t’i shpalosë qëndrimet e saj.
Ndërkaq Jehona Lushaku ka thënë se bëhet fjalë për “takim të rregullt që bëhet me anëtarët e kryesisë për të bërë bilanc se si kanë shkuar zgjedhjet”.
“Analizë e përgjithshme”, ka thënë ajo.
Lushaku është pyetur edhe për mundësinë e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.
“Mbetet kompetencë e secilit anëtar të kryesisë. Besoj që LDK-ja njihet për debat e demokraci të brendshme”, ka shtuar ajo.
Takimi mbahet për t’i paraprirë një mbledhje të Kryesisë për të cilën pati njoftuar edhe vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas publikimit të rezultateve preliminare sipas të cilave LDK-ja në zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka marrë mbi 13 për qind të votave.
Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve më 28 dhjetor dhe publikimit të rezultateve preliminare, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se do të thërrasë mbledhjen e Kuvendit të partisë për të reflektuar mbi rezultatin.
E ndërkohë, përmes disa portaleve dhe grupeve në rrjete sociale ka filluar të matet pulsi i anëtarësisë për rikthim të mundshëm të ish kryetarit partiak, Isa Mustafa.

