Shkruan: Nefail Emini

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në orët e hershme të mëngjesit, nisën Operacionin “Shtiza Jugore”, i cili kishte për qëllim sulmin ndaj bazave dhe instalimeve ushtarake në Venezuelë, si dhe arrestimin e Presidentit Nicolás Maduro. Operacioni përfundoi me sukses të plotë. Ky zhvillim përbën një ngjarje me ndikim të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka potencialin të shkaktojë një spiralë të rrezikshme tensionesh globale.
Rëndësia e këtij operacioni lidhet drejtpërdrejt me peshën gjeopolitike të Venezuelës dhe me aleancat strategjike që ajo ka ndërtuar për më shumë se dy dekada me aktorë që konsiderohen ndër kundërshtarët kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst shtrohen disa pyetje thelbësore:
A përbën ky operacion një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për Iranin, si një nga aleatët më të afërt të Venezuelës? Si pritet të reagojë Kina ndaj këtij zhvillimi? A synohet paralizimi energjetik i Kinës? Cilat do të jenë pasojat për Rusinë?
Dhe, në fund, çfarë simbolizojnë Venezuela dhe Irani për strategjinë globale energjetike të Kinës?

Nafta e Venezuelës dhe Kina
Venezuela është një nga shtetet me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Sipas përllogaritjeve, ajo disponon rreth 305 miliardë fuçi nafte, ku secila fuçi përmban 159 litra, çka dëshmon fuqinë e saj të jashtëzakonshme energjetike. Njëkohësisht, Venezuela zotëron edhe rezerva të mëdha të gazit natyror, të vlerësuara në rreth 6.300 miliardë metra kub (BCM), duke u renditur e shtata në nivel global.
Kina është një nga blerësit më të mëdhenj të naftës në botë dhe një nga shtetet më të varura nga importet energjetike. Situata e re e krijuar në Venezuelë pritet ta rëndojë edhe më tej pozitën energjetike të Pekinit. Kjo për arsye se Kina e ka parë Venezuelën si një burim alternativ furnizimi, jashtë korridoreve tradicionale energjetike të Lindjes së Mesme, Rusisë dhe Azisë Qendrore.
Sipas të dhënave, Kina ka importuar nga Venezuela mesatarisht 350.000 deri në 500.000 fuçi nafte në ditë, duke u shndërruar në blerësin kryesor të naftës venezueliane. Ky ishte një burim energjetik që ndodhej jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për më tepër, fakti që Venezuela ishte nën sanksione ndërkombëtare i mundësonte Pekinit të siguronte naftë me çmime më të favorshme, si dhe kushte lehtësuese që e bënin importin më ekonomik dhe konkurrues krahasuar me furnizuesit e tjerë.
Në të njëjtën kohë, Kina i ka dhënë Venezuelës dhjetëra miliardë dollarë kredi, të cilat në pjesën më të madhe janë shlyer në formën e naftës. Me ndryshimin e situatës gjeopolitike, këto marrëveshje dhe kontrata mund të rinegociohen ose edhe të anulohen, gjë që do t’i shkaktonte Kinës humbje të konsiderueshme financiare. Si pasojë, Kina do të përballet me presion të shtuar energjetik dhe do të detyrohet t’u rikthehet burimeve tradicionale të furnizimit, me çmime më të larta dhe kushte më pak të favorshme.

Irani si nyje strategjike energjetike për Kinën
“Nëse Irani qëllon dhe vret dhunshëm protestuesit paqësorë, siç e ka zakon, Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë”, shkroi Presidenti amerikan Donald Trump, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të vepruar”. Kjo deklaratë u bë në kontekstin e protestave qytetare kundër regjimit iranian, por ajo merr një peshë edhe më të madhe në dritën e zhvillimeve të fundit në Venezuelë dhe deklaratave pas arrestimit të Maduro-s.
Kjo krijon bindjen se Irani mund të jetë objektivi i radhës i politikës amerikane. Një skenar i tillë ka shkaktuar shqetësim të madh jo vetëm në Teheran, por edhe në Pekin. Arsyeja është e qartë: Irani përbën një nyje kyçe në strategjinë energjetike të Kinës.
Irani renditet ndër vendet më të pasura në botë me hidrokarbure. Rezervat e tij të naftës vlerësohen në 208–209 miliardë fuçi, duke e renditur të tretin në botë, pas Venezuelës dhe Arabisë Saudite. Po ashtu, Irani zotëron rreth 34 trilionë metra kub gaz natyror, ose rreth 17% të rezervave globale, duke u renditur i dyti pas Rusisë.
Kina ka qenë një nga importuesit kryesorë të naftës iraniane, me importe që variojnë nga 1.3 deri në 1.8 milion fuçi në ditë. Ashtu si Venezuela, edhe Irani është nën sanksione ndërkombëtare, çka e ka detyruar Teheranin të shesë naftën e tij me çmime më të ulëta, nga të cilat ka përfituar Pekini. Gjithashtu, ka kohë që diskutohet ndërtimi i një tubacioni gazi nga Irani drejt Kinës, por projekti nuk është realizuar për shkak të sanksioneve.
Në rast të një ndryshimi të regjimit në Iran, marrëveshjet strategjike dhe energjetike mes dy vendeve do të rishikoheshin, duke e vendosur Kinën përballë një krize serioze energjetike dhe duke e detyruar të mbështetet në burime nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ose Rusisë, çka do ta ekspozonte atë ndaj presionit politik dhe ekonomik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fuqi energjetike globale
Në konferencën për media pas arrestimit të Maduro-s, Presidenti Trump deklaroi se kompanitë amerikane do të përfshihen drejtpërdrejt në tregun energjetik të Venezuelës. Kjo deklaratë përbën një tjetër tronditje për aktorë si Kina, Irani dhe Rusia.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin fushat e naftës venezueliane nën kontrollin e tyre, ato do të administrojnë rezervat më të mëdha të naftës në botë, me pasoja të drejtpërdrejta në tregun global energjetik. Duke qenë se SHBA nuk janë pjesë e OPEC-ut, dobësimi i kësaj organizate do të reduktonte ndjeshëm ndikimin e saj mbi çmimet dhe prodhimin global të naftës.
Në një skenar të tillë, SHBA do të kishin mundësi të ndikojnë ndjeshëm në çmimin dhe sasinë e prodhimit të hidrokarbureve, duke u shndërruar në aktorin dominues të tregut energjetik global. Nëse pas Venezuelës do të pasonte edhe Irani, Kina do të gjendej përballë një rrethimi strategjik me pasoja të thella gjeopolitike dhe ekonomike.
Njëkohësisht, përmes manipulimit të çmimit të naftës, Shtetet e Bashkuara mund të godasin edhe Rusinë, e cila siguron rreth 60% të të ardhurave buxhetore nga eksporti i naftës. Një çmim i ulët i naftës do të kishte pasoja të rënda për ekonominë ruse, ashtu si edhe për Iranin, ku rreth 40% e buxhetit vjen nga shitja e hidrokarbureve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsolidohen si fuqi dominuese në tregun energjetik global dhe, paralelisht, po shtrëngojnë rrethin strategjik rreth Kinës, duke e vendosur Pekinin nën një presion të jashtëzakonshëm gjeopolitik dhe energjetik. Rusia dhe Irani, gjithashtu, do të përballen me presione të forta ekonomike dhe politike, çka pritet të prodhojë tensione të reja dhe potencialisht destabilizuese në sistemin ndërkombëtar në ditët dhe muajt në vijim.

sqShqip