Shkruan: Nefail Emini

Që nga fitorja e mandatit të dytë, Donald Trump ka shprehur hapur qëndrimin e tij se Grenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky qëndrim nuk përbën risi, pasi edhe gjatë mandatit të tij të parë ai kishte shfaqur interes për blerjen e ishullit, kërkesë kjo që u refuzua kategorikisht si nga Danimarka, ashtu edhe nga autoritetet e Grenlandës.
Trump nuk është presidenti i parë amerikan që ka shfaqur interes për Grenlandën. Pas Luftës së Dytë Botërore, presidenti Harry Truman kishte ofruar 100 milionë dollarë për blerjen e ishullit, ofertë që u refuzua në mënyrë të ngjashme, ashtu siç ndodhi edhe me iniciativën e mëvonshme të Trumpit. Së fundmi, emërimi nga ana e Trumpit i një të ngarkuari të posaçëm për Grenlandën shkaktoi reagime të ashpra politike në Kopenhagë dhe në vetë Grenlandën, duke rikthyer në vëmendje debatin mbi arsyet reale të interesimit amerikan.
Kjo ngre pyetjen thelbësore: pse Grenlanda është kaq e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara? A bëhet fjalë vetëm për gjeopolitikë, apo pas këtij interesimi fshihen edhe dimensione të tjera strategjike, ekonomike dhe energjetike?

Ku gjendet Grenlanda?

Grenlanda është ishulli më i madh në botë, i vendosur midis Oqeanit Atlantik të Veriut dhe Oqeanit Arktik, në lindje të Arktikut kanadez. Ajo ka një sipërfaqe totale prej mbi 2.1 milionë kilometra katrorë, nga të cilat rreth 81% janë të mbuluara me akull. Popullsia e saj është relativisht e vogël, rreth 56 mijë banorë.
Politikisht, Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Me Aktin e Vetëqeverisjes së vitit 2009, asaj iu zgjeruan kompetencat dhe iu njoh e drejta për të shpallur pavarësinë përmes referendumit. Gjeografikisht, Grenlanda shtrihet rreth 2.670 kilometra nga veriu në jug dhe mbi 1.050 kilometra nga lindja në perëndim, ndërsa vija e saj bregdetare arrin rreth 39.330 kilometra.
Fqinjët më të afërt të Grenlandës janë Ishulli Ellesmere i Kanadasë, vetëm 26 kilometra larg në veri, si dhe Islanda, e cila ndodhet rreth 321 kilometra në juglindje. Në një kontekst më të gjerë evropian, Norvegjia përbën një tjetër pikë referimi gjeostrategjik në rajon.

Rëndësia gjeopolitike e Grenlandës

Rritja e konkurrencës gjeopolitike mes Rusisë dhe Kinës, në njërën anë, dhe Shteteve të Bashkuara së bashku me aleatët e tyre evropianë, në anën tjetër, po e shndërron Arktikun në një nga zonat më strategjike të shekullit XXI. Në këtë përplasje interesash, Grenlanda luan një rol qendror për shkak të pozitës së saj gjeografike unike.
Ishulli ndodhet pranë rrugëve të reja të transportit detar në Arktik: Kalimi Veriperëndimor përgjatë bregdetit kanadez, Kalimi Verilindor ose Rruga Detare Veriore përgjatë brigjeve ruse, si dhe rruga e ardhshme Trans-Arktike, e cila pritet të kalojë përmes Oqeanit Arktik qendror. Me vazhdimin e shkrirjes së akullit, këto rrugë pritet të shndërrohen në korridore të rëndësishme të tregtisë globale, duke shkurtuar ndjeshëm distancat mes Oqeanit Atlantik dhe Paqësor dhe duke sfiduar rolin tradicional të kanaleve të Suezit dhe Panamasë.
Nga këndvështrimi ushtarak, Grenlanda është thelbësore për sigurinë e NATO-s dhe të SHBA-së. Në territorin e saj ndodhet baza hapësinore Pituffik, një instalim kyç për paralajmërimin dhe mbrojtjen e hershme nga raketat balistike. Po ashtu, Grenlanda është pjesë e të ashtuquajturit “Boshllëk GIUK” (Grenlandë–Islandë–Mbretëri e Bashkuar), një zonë strategjike e luftës kundër nëndetëseve, e cila ka luajtur rol vendimtar gjatë Luftës së Ftohtë dhe mbetet ende kritike për monitorimin e lëvizjeve detare ruse në Atlantikun e Veriut dhe Arktik.

Gjeopolitika e Arktikut

Arktiku mendohet se përmban rezerva të mëdha të naftës, gazit natyror, mineraleve dhe metaleve të rralla. Me shkrirjen e akullnajave, këto burime po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme, duke rritur ndjeshëm interesin e fuqive të mëdha globale. Përveç dimensionit ekonomik, rajoni ka edhe rëndësi të madhe ushtarake, pasi kontrolli, mbikëqyrja dhe parandalimi strategjik janë shndërruar në prioritete kyçe për SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe shtetet evropiane.
Tradicionalisht, Arktiku ka qenë një zonë bashkëpunimi ndërkombëtar. Megjithatë, ndryshimet klimatike dhe rivalitetet gjeopolitike po e ashpërsojnë konkurrencën në rajon. Kina, ndonëse jo një shtet arktik, në bashkëpunim me Rusinë po rrit praninë dhe ndikimin e saj, duke rritur më tej tensionet gjeopolitike.
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 e dëmtoi rëndë bashkëpunimin mes Rusisë dhe shteteve të tjera arktike. Ky zhvillim nxiti Finlandën dhe Suedinë, vende tradicionalisht neutrale, të anëtarësohen në NATO në vitet 2023 dhe 2024. Si pasojë, të gjitha shtetet e Arktikut, përveç Rusisë, janë tashmë pjesë e Aleancës Veriatlantike, duke rritur ndjeshëm rëndësinë strategjike të rajonit dhe të Grenlandës në veçanti.

Pasuria nëntokësore e Grenlandës

Përveç rëndësisë së saj gjeopolitike, Grenlanda zotëron një pasuri të konsiderueshme nëntokësore. Shkrirja e akullit ka bërë që këto burime të dalin gjithnjë e më shumë në pah, duke tërhequr interesin e aktorëve ndërkombëtarë.
Sipas një raporti të vitit 2023 nga Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Grenlandës (GEUS), ishulli përmban 25 nga 34 mineralet kritike të identifikuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë depozita të mëdha grafiti, litiumi dhe elemente të rralla të tokës, thelbësore për teknologjitë e avancuara dhe tranzicionin energjetik. Ndërkohë, Benchmark Minerals Intelligence vlerëson se 43 nga 50 mineralet kritike për sigurinë kombëtare të SHBA-së gjenden në Grenlandë.
Në aspektin energjetik, vlerësohet se Grenlanda disponon ndërmjet 28 dhe 31 miliardë fuçi nafte dhe rreth 148 trilionë metra kub gaz natyror. Ajo është gjithashtu e pasur me uranium, me rezerva të vlerësuara rreth 32.800 tonë, veçanërisht në zonën Kvanefjeld (Kuannersuit) në jug të ishullit, çka e rrit edhe më tej rëndësinë e saj strategjike dhe gjeopolitike.

Epoka e konkurrencës gjeopolitike, ekonomike dhe energjetike po intensifikohet gjithnjë e më shumë. Me shkrirjen e akujve dhe hapjen e rrugëve të reja detare, Grenlanda pritet të shndërrohet në një nga pikat kryesore të përplasjes së interesave të fuqive të mëdha globale. Paradoksalisht, ndërsa akulli po shkrihet, rivalitetet gjeopolitike në rajon po “ngrihen” dhe po bëhen gjithnjë e më të nxehta.

sqShqip