July 27, 2024
Dossier

Neshati nga Tetova, oficeri që u shkollua në Vjenë dhe u keqtrajtua nga OZNA famëkeqe

FLETËT E ZVETËNUARA TË TETOVARËVE TË HARRUAR

(Një rrëfim për Shatën (Neshatin), oficerin e lartë shqiptar që kreu Akademinë Ushtarake në Vjenë, të cilin, pas lufte, OZNA e burgosi dhe e keqtrajtoi deri në çmendi)

Nga Ismail Arsllani

Duke shfletuar fletët e zvetënuara të Tetovës së vjetër, të viteve të ’50-ta e më herët, kujtimet marrin dhenë në të katër anët. Në përpjekjet për t’i mbërthyer tok ato “hije” të së kaluarës që po zbehen për çdo ditë më shumë, kam ftuar në ndihmë “ciceronin” e këtij qyteti, shqiptaro-amerikanin nga Çikagoja, Abdylsami Xhaferin, legjendën tetovare, i cili ka kyçur në memorien e tij rrugët dhe lagjet cep më cep, njerëzit e qytetit, të rinj e të vjetër, të njohur e të panjohur, me historitë e tyre të këndshme e të trishta dhe, nuk përton, shpalos gjithçka që di, madje, di shumë.
Hedhim “shikimin” e kujtesës në mes-shekullin e kaluar, kur, në pjesën veriore të sheshit të Tetovës, kishin ngritur shtat hijeshie dy ndërtesa të reja, që ishin vepra të fazës së parë të socializmit. Dhe, pikërisht aty ku ishte hapur një vetëshërbim, i pari i këtij lloji që habiti tetovarët, ngase aty mund të blinin artikuj ushqimorë duke zgjedhur vetë, si një risi në tregti. Pranë derës së këtij vetëshërbimi kishte një “tunel” që nxirrte shteg te një rrugicë, e cila njihej si “Dar-çarshi” dhe që shtrihej paralel me rrugën kryesore që shpinte tek Posta e Vjetër, sot një godinë e shëmtuar para rrënimit. Aty ishin një rend dyqanesh zejtare nga të dyja anët, të cilat mbetën si “zorrë qorre”, pas prerjes së rrugës nga arkitektët, që izoluan nga qendra, zejtarët e njohur të qytetit. Ajo “Dar-çarshi” treti nga faqja e dheut, kur po aty u ndërtua një qendër tregtare, e cila asnjëherë nuk funksionoi si duhet, mbase nga mallkimi i zejtarëve dhe pronarëve të shtëpive të vjetra, të cilët u detyruan që të shpërngulen në Turqi.
Pikërisht nëpër atë “tunel”, në vitet e ’50-ta, kalonte ditë më ditë edhe Shata (Neshati), mbiemri i panjohur, një burrë shtatshkurtër, harabat në veshje, me mjekër të pakrehur e të shkapërderdhur, duke folur vetë më vete, në gjermanishte. Kush ishte ky person që tërhiqte vëmendjen e tetovarëve të asaj kohe, sidomos të fëmijëve, e dukej sikur kishte pikur nga qielli në ato vite. Më herët s’e kishin parë aty pari. Ky njeri, enigmë, vërehej se si në ecje e sipër mblidhte skutave letra të hedhura dhe bashkëbisedonte me veten në një gjuhë që s’e kuptonin të tjerët! Ulej në shkallët e betonit të Postës së vjetër të qytet dhe ngulte sytë diku larg, mbase, nganjëherë, kthente shikimin brenda, në shpirtin e tij. Nuk tregonte shenja agresiviteti, ishte i urtë dhe jo i dëmshëm për të njohur e të panjohur, për fëmijë dhe të rritur. Shumëkush kthente kryet dhe e shikonte me dhimbje e keqardhje. Shtëpia e tij ishte aty afër, në atë rrugë që shpinte në anën lindore e që dilte te Xhamia Eski
Ajo shtëpi ku jetonte Shata ishte e xha Mexhitit, i cili nga vuajtjet e shpirtit kishte ndërruar jetë në fillim të viteve të ’50-ta. Një kohë, ndërmjet dy Luftërave Botërore, në Zagreb kishte një ëmbëltore. Ky kishte dy djem dhe një vajzë. I madhi e kishte emrin Neshat (Shata), i dyti quhej Ramush, ndërsa vajza Hatixhe. Neshati (Shata) që në rini kishte ndihmuar babanë, bashkë me të vëllanë Ramushin, në punët e pastiçerisë që kishin në Zagreb të Kroacisë. Shata dallohej nga zgjuarsia dhe intelekti, ndaj dhe me sukses kishte kryer gjimnazin në Zagreb. Pasi e kryen shkollën e mesme, me ndërhyrjen e miqve kroatë arrin të regjistrohet në Akademinë Ushtarake në Vjenë të Austrisë.
Kjo ishte periudha e para Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë Austria i bashkëngjitet federatës gjermane. Derisa Shata qëndronte për studime në Vjenë, vëllai i tij mbetet në Zagreb. Shata kishte kryer Akademinë Ushtarake i specializuar për artilerinë dhe pas diplomimit ishte kthyer në Zagreb. Pas luftës së madhe, nga viti 1948, Shata burgoset pa ndonjë pretekst të qartë. Babai i tij s’kishte mund të përballojë burgosjen e të birit, ndaj dhe shumë shpejt kishte ndërruar jetë larg vendlindjes, në kryeqendrën e Kroacisë. Meqë ishte kohë e Informbyrosë, kur kishte burgosje masive në gjithë Jugosllavinë e atëhershme, sipas të gjitha gjasave e kishte mbërthyer vorbulla edhe Shatën. Pasi e kishin çmendur mirë e mirë dhe e kishin bërë të pa aftë nëpër ato qeli të errëta e të lagështa, lirojnë Shatën nga burgu. Meqë babai i tij, Mexhiti, kishte ndërruar jetë, Shata braktis Zagrebin dhe kthehet në Tetovë, për të bredh rrugëve me hallet e veta që s’i kuptonin të tjerët.
Tetovarët as që pandehnin se nëpër çfarë vuajtjesh kishte kaluar Shata nëpër burgjet famëkeqe dhe çfarë dhembjesh kishte përjetuar nga dora e hekurt e OZNA-s e aq më pak, se ky kishte qenë një ushtarak me grada të larta, oficer, me diplomë akademie të kryer në Vjenë. Të tillë njerëz ka pasur Tetova e kohërave të shkuara, që janë hedhur me dashje apo pa dashje në humnerën e harresës. Ata nuk kanë nxjerr një gjysmë fjalë as për meritat e as për katrahurën e përjetuar. Në një rrugë të tillë pa shteg, pas vdekjes së Shatës, familja e mbetur ishte shpërngulur për në Turqi.