Një shekull më parë, kufiri politik e ndau Dibrën, por nuk arriti t’i ndajë dibranët. Më shumë se një shekull pas eksodit masiv të vitit 1913, kujtesa e atyre që u detyruan të largoheshin nga vatrat e tyre vazhdon të jetojë edhe në Tiranë, aty ku shumë prej tyre gjetën strehë mes vëllezërve të tyre. Pikërisht kjo histori u rikthye në vëmendje nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” në Tiranë, e cila organizoi një aktivitet përkujtimor të ndërthurur me një mbrëmje kushtuar muzikës dhe kulturës shqiptare

Vjollca SADIKU

Dibër, 2 tetor – Në kryeqytetin shqiptar prej vitesh funksionon me aktivitet të gjerë Shoqata “Bashkësia Dibrane”, e themeluar në vitin 1992 nga intelektualë me origjinë dibrane, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Shqipëri. Shoqata ka në fokus ruajtjen e kujtesës historike, traditave dhe vlerave kulturore të Dibrës, si dhe forcimin e lidhjeve mes dibranëve brenda dhe jashtë trevës së tyre. Në vitin 1913, pas dhunës dhe dëbimeve të ushtruara ndaj popullsisë dibrane nga autoritetet serbe, mijëra dibranë u detyruan të largoheshin nga vendbanimet e tyre. Një pjesë e tyre gjetën strehim në Tiranë dhe në zona të tjera të Shqipërisë. Gjurmët e këtij shpërnguljeje janë të pranishme edhe sot, shkruan gazeta KOHA.

Në Tiranë ekziston një lagje e njohur si “Mahalla e Dibranëve”, e cila lidhet pikërisht me vendosjen e familjeve dibrane që mbërritën në kryeqytetin shqiptar më shumë se një shekull më parë.

" "

Në kuadër të programit të saj vjetor, “Bashkësia Dibrane” në Tiranë përkujtoi 113-vjetorin e eksodit të dibranëve të vitit 1913. Aktiviteti u zhvillua në bashkëpunim me TKOBAP dhe u shoqërua edhe me një program artistik kushtuar 70-vjetorit të lindjes së kompozitorit, muzikantit dhe pedagogut me origjinë dibrane, Prof. Dr. Isak Shehu. Kryetari i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Prof. Dr. Saimir Shatku, tha se aktiviteti është pjesë e programit vjetor të shoqatës dhe synon të ndërthurë kujtesën historike me promovimin e vlerave kulturore dhe artistike të trevës së Dibrës.

“Me rastin e 113-vjetorit të eksodit masiv të dibranëve nga shteti serb drejt Tiranës, në shtator të vitit 1913, si dhe të 70-vjetorit të lindjes së kompozitorit, muzikantit dhe pedagogut të trompës, Prof. Dr. Isak Shehu, Shoqata ‘Bashkësia Dibrane’, në bashkëpunim me TKOBAP, organizoi programin dhe koncertin ‘Portret Artistik’”, deklaroi Shatku. Mbrëmja u kushtua muzikës shqiptare, traditës dhe vlerave kombëtare, me pjesëmarrjen e këngëtarëve Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali, Korit Ndërkombëtar “BujArt” dhe Trupës së Tunxhit të Operas. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në artin dhe kulturën muzikore shqiptare, Kryesia e “Bashkësisë Dibrane” i akordoi Prof. Dr. Isak Shehut vlerësimin “Fisnikëria e Bashkësisë Dibrane të Tiranës”, së bashku me plaketën e vlerësimit.

“Bashkësia Dibrane” ka një program të gjerë aktivitetesh dhe gjatë gjithë vitit organizon veprimtari kulturore, përkujtimore dhe shoqërore. Shoqata mban lidhje të ngushta me pushtetin vendor të Dibrës së Madhe, por edhe me shoqatat mbarëdibrane që veprojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në aktivitetet e saj marrin pjesë edhe dibranë nga Dibra e Madhe dhe nga vendbanime të tjera në pjesën lindore të Shqipërisë, pjesë e hapësirës së Dibrës tradicionale.

Pikërisht kjo është një nga temat që shoqata e përcjell vazhdimisht përmes aktiviteteve të saj: kufijtë politikë mund ta ndajnë një trevë, por nuk mund ta zhdukin kujtesën, traditën dhe lidhjet mes njerëzve. Dibra e nëntë maleve është ndarë nga kufijtë shtetërorë, por lidhjet mes dibranëve vazhdojnë të ruhen përmes familjeve, shoqatave, kulturës dhe kujtesës së përbashkët. Në aktivitetet e “Bashkësisë Dibrane” në Tiranë marrin pjesë rregullisht edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe të shoqatave qytetare nga Dibra e Madhe, duke i dhënë këtyre veprimtarive edhe një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërmjet dy pjesëve të Dibrës.

113 vjet pas eksodit, historia vazhdon të jetë pjesë e identitetit dibran. Dhe në Tiranë, kujtesa e atyre që dikur mbërritën si të shpërngulur është shndërruar në një urë që lidh brezat dhe dy anët e një Dibre të ndarë nga kufiri, por jo nga rrënjët. (koha.mk)

sqShqip