May 16, 2024
Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, Osmani: Rrugën evropiane apo rrugën e izolimit

Me moton “Po Evropës – Jo Rusisë”, karvani i “Frontit Evropian”, mbrëmë zbarkoi në Likovë, ku edhe nisi fushatën në kuadër të zgjedhjeve presidenciale. Në nismë të fushatës, kandidati presidencial i “Frontit për Evropën”, Bujar Osmani, para të pranishmëve shpalosi arsyet se përse është dashur të formohet “Fronti Evropian”. Më tej, Bujar Osmani tha se në këto zgjedhje do të përcaktohet fati i vendit tonë.
“20 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, u kemi thënë komuniteteve të vogla, ne kemi përfituar nga MO-ja, duhet të bëhemi bashkë, e nëse bëhemi të gjithë bashkë komunitetet, ne do të bëhemi shumë më të fuqishëm në këtë vend. Ata nuk kanë pranuar dhe unë i kuptoj pse, i kuptoj se ne kishim hallet tona, ne kishim hallet tona për t’u fuqizuar si popull, dhe ata herë zgjidhnin VMRO-në e herë LSDM-në. Pas 23 viteve të MO-së, njëzëri dhe pa i lutur të gjitha komunitetet thanë ne duam që gardiani dhe mbrojtës të interesit tonë dhe të ardhmes sonë të jenë shqiptarët.”, –  theksoi kandidati për president nga “Fronti Evropian”, Bujar Osman.
Bujar Osmani tha se jorastësisht këtë mision të madh të barazisë ka vendosur që ta nisë pikërisht nga Likova. “Këtë mision të Frontit Evropian nga 9 parti politike, bllok më i madh që  kanë pasur partitë e Marrëveshjes së Ohrit, ta nisi këtu nga Likova, nga burimi, sepse këtu ka nisur dhe është zhvilluar përpjekja më e madhe për liri dhe barazi.”./TVM2