Zgjedhjet 2024, “E Majta” mbajti tubimin përfundimtar në Shkup
Kandidatja presidenciale e “Së Majtës”, Biljana Vankovska, ka mbajtur tubimin final të fushatës presidenciale në Shkup. Ajo para simpatizantëve të “Së Majtës” tha se pret të hyjë në raundin e dytë zgjedhor dhe se së bashku me “Të Majtën”, si një ushtri e kuqe do ta çojnë deri në fund fushatën. Gjatë prezantimit të programit, Vankovska u shpreh se ajo dhe “E Majta” po mundohen të rikthejnë dinjitetin, të flasin të vërtetën dhe të ndryshojnë gjërat. “E Majta” do t’ua rikthejë dinjitetin qytetarëve, duke i ndryshuar të gjitha ligjet dhe marrëveshjet e dëmshme që e vendosën shtetin në situatë të palakmuar.
“I gjithë populli do ta shohë ndryshimin, kjo është ajo që na dallon nga të gjitha partitë e establishmentit borgjez. Ne nuk turpërohemi të themi se ne jemi kundër fuqisë së establishmentit. Unë ende nuk jam pjesë e “Së Majtës”, por ndjehemi si pjesë e juaja.”, – deklaroi kandidatja për presidente nga “E Majta”, Biljana Vankovska.
Kandidatët për deputetë të “Së Majtës” besojnë se në zgjedhjet parlamentare të fitojnë dyfish më shumë deputetë se sa në zgjedhjet e kaluara, që Qeveria e ardhshme të mos mund të formohet pa “Të Majtën”.
“Kemi të bëjmë me platformë me 5 pika, e cila ka të bëjë me unitetin e shtetit, ka të bëjë me ndarjen territoriale të shtetit, që nuk është e bazuar në kufi etnik, por në kufi funksional gjeografik, ka të bëjë me mosnegocionimin për stemën, flamurin dhe himnin e shtetit.”, – u shpreh kandidati për deputet i “Së Majtës”, Rexhep Haktan Ismail.
Nga kjo parti thonë se Vankovska në programin e saj presidencial parasheh drejtësi sociale, të drejta të punëtorëve, politikë ekonomike, investime kapitale, arsim pa pagesë për të gjithë dhe integrim ndëretnik. Lideri i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev, tha se LSDM-ja për dallim nga “E Majta” nuk e ka shpirtin e popullit. Ndërsa VMRO-DPMNE-së i tregoi se partisë së tij nuk i duhet moratorium, por moratorium duhet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, moratorium për amnisti dhe ndryshime në Kodin Penal me flamur evropian, si dhe moratorium për futjen e dygjuhësisë./TVM2