June 17, 2024
Maqedoni

Zeqiri për ABC News: Rivotimi të mërkurën, VMRO-LSDM kundër shqiptarëve, VLEN bën argatllëkun

Në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën do të zhvillohet një proces rivotimi në shtatë vendvotimet, përkatësisht në njësinë e pestë dhe të gjashtë zgjedhore. Vendimi për rivotim u mor nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pasi Gjykata Administrative hodhi poshtë si të pabaza të shtatë paditë e koalicionit “Fronti Evropian” kundër vendimeve të KSHZ-së.

Për shkak të këtij vendimi të Gjykatës Administrative dhe të KSHZ-së, BDI-ja ka akuzuar se po bëhet inxhinieri zgjedhore, veprim ky, i cili sipas tij ka si qëllim që partisë t’i merren dy mandate deputeti. Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Arben Zeqiri, i ftuar në “Ballkan Update” tha se rivotimi është një proces, që shkon kundër interesit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Fronti Evropian mund të humbasë 1-2 mandate deputeti. Ky rivotim po bëhet kundër shqiptarëve dhe peshës historike që kanë fituar shqiptarët në këto zgjedhje”, tha ai. Ai shtoi se kjo po shkon në favor të partive jo-shqiptare në RMV dhe përgjegjëse për këtë është koalicioni VLEN. Sipas tij, ky koalicion po keqpërdor votën e shqiptarëve dhe kjo do të reflektojë dhe në postet drejtuese që do kenë shqiptarët në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

“Kjo po bëhet me argatllikun e opozitës shqiptare, me koalicionin VLEN. Fronti Evropian tremb VMRO dhe LSDM. VLEN po keqpërdor votën e shqiptarëve. Deri tani shqiptarët kanë pasur 11-12 ministri, dhe të gjitha kanë qenë me peshë. Ka rënë dhe cilësia dhe pesha e ministrive që do të drejtojnë”, theksoi ai.