May 26, 2024
Rajon - Botë

Zelensky thirrje Putinit për bisedime: Ulu me mua, por jo 30 metra larg si me Macron

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë një konferencë tjetër për shtyp. BBC raporton se ai ka thënë që bisedimet e drejtpërdrejta me Vladimir Putinin “janë mënyra e vetme për ta ndaluar këtë luftë”.

“Ne nuk po sulmojmë Rusinë dhe nuk kemi ndërmend që ta bëjmë. Çfarë doni nga ne? Ikni nga tokat tona. Ulu me mua. Vetëm jo 30 metra larg [si me presidentin francez Emmanuel Macron]”, ka thënë Zelensky.

Ai i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i dërgojnë avionë luftarakë.

“Nëse nuk keni fuqinë që të mbyllni qiejt, [të impononi një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë] atëherë na jepni avionë”, ka thënë ai. “Nëse ne nuk jemi më atëherë Zoti na ruajt… Letonia, Lituania dhe Estonia, do të jenë të radhës”, shtoi Zelensky.

Këto vende që ka përmendur Zelensky janë shtete anëtare të NATO-s, që do të thotë se nëse Rusia pushton ato, do të jetë në luftë me të gjitha anëtaret e aleancës.