May 16, 2024
Kolumna

Zejnepe Rexhepi i reagon Todorovskës: Shqiptarët janë Dielli i kulturës ballkanike

Shkruan: Zejnepe Alili Rexhepi

Sa turp për ty, Katerina Todorovska, që objekt “studimi” i ke mashtrimet mbi shkrimin shqip!
Në këtë ditë feste të shenjtë për të gjithë shqiptarët, Ditën e Alfabetit – Kongresin e Manastirit (1908), çuditërisht një “intelektualeje” si kjo, që studimet i mbështet mbi mashtrime e sajesa, i jepet kaq hapësirë pjesëmarrjeje nëpër konferenca shkencore në Tiranë e Prishtinë (vetë deklaron se në mbi 100 Simpoziume botërore, shumicën i ka të realizuara në Tiranë dhe Prishtinë).
Siç duket, shëtitet me “mision” të caktuar nëpër kryeqendrat shqiptare!
Katerina Todorovska, mos i bjer rrotull çështjes, nëse je shqiptare ortodokse, deklarohu lirisht, se e kanë bërë edhe personalitete më të mëdha se ti, nga Akademiku Mateja Matevski, Branko Manajllovski, Branko Sinadinovski, etj., por mos bën përpjekje të lidhësh histori që nuk lidhen!
Në të kundërtën, duhet të jeni mirënjohëse, përderisa askush nga shtetet fqinje nuk ua njeh gjuhën, as identitetin, përveç shqiptarëve, andaj mos na e shpërdoroni mirësinë e të na pandehni pjesë e juaja, sepse shqiptarët janë Dielli i kulturës ballkanike, prandaj mos na u ngjitni për bishti që përmes nesh ta krijoni identitetin që nuk e keni!
Vendosni njëherë e përgjithmonë a jeni maqedonas apo sllavë të Jugut?!