Nga Beqir SINA – New York/INA
Çifti Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), pritet të vizitojë Kosovën këto ditë.
Çifti do të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti dhe do të formalizojë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit.
Sipas informacioneve jozyrtare nga burime të besueshme në Nju Jork, ish-kongresisti republikan i Nju Jorkut, themelues dhe kryetar i lobit të parë dhe të vetëm shqiptaro-amerikan, së bashku me bashkëshorten e tij, këshilltare dhe analiste e LQSHA-së, pritet të priten nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidentja në detyrë Haxhiu, zyrtarë të lartë, liderë të partive miqësore të lidhur me çiftin DioGuardi dhe populli i Kosovës.
Pritja ndaj tyre shpreh edhe një herë respektin për kontributin e tyre prej dekadash në lobimin për Kosovën, çështjen shqiptare, rënien e komunizmit dhe zbulimin e mbrojtjes së hebrenjve.
DioGuardi ka origjinë nga Greci e Kalabrisë, nga ai gjak i shpërndarë i arbëreshëve, që ata e quajnë “sangua sporsa”. Ky identitet shqiptar është ruajtur për shekuj dhe DioGuardi e ktheu atë në veprim të palodhur për Kosovën.
Ai ka udhëhequr përpjekjet në Kongresin amerikan për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të ndalur dhunën në Kosovë.
Vizita vlerësohet historike
Pritet që çifti të marrë zyrtarisht dhe me ceremoni pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti. Në të njëjtën kohë, institucionet kosovare do të formalizojnë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit.
DioGuardi u bë shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1984. Në vitin 1986 ai sponsorizoi rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe organizoi seancën e parë dëgjimore për Kosovën.
Në maj të vitit 1990, së bashku me kongresistin Tom Lantos, i mbijetuar i Holokaustit, DioGuardi udhëhoqi delegacionin e parë amerikan në Kosovë për të sfiduar pushtimin serb të Millosheviçit.
Nga Kosova ata vazhduan në Tiranë, ku u bënë zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas 50 vitesh izolimi dhe sundimit të një regjimi komunist.
Arkivi që tani po përgatitet për transferim përfshin dokumente, video nga Melburni i Australisë dhe Zelanda e Re, fotografi dhe materiale nga të gjitha trevat shqiptare.
Procesi nisi në Nju Jork tre vjet më parë, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, me nënshkrimin e procesverbalit, të ndërmjetësuar nga Faton Bislimi, për Institutin për Krimet e Luftës dhe Muzeun Kombëtar.
Materialet thuhet se ende po digjitalizohen në SHBA.
Në tetor 2025, gjatë ceremonisë së 85-vjetorit të tij në Yonkers, DioGuardi shpalli dhurimin e bibliotekës personale 40-vjeçare “për popullin e babait tim”, në mënyrë që të rinjtë shqiptarë të njohin sakrificat.
Ky arkiv nuk është vetëm një koleksion, por një dëshmi e gjallë e rolit të diasporës në fitoren e lirisë.
Vizita e pritshme e çiftit Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi në Kosovë, së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e përforcon këtë amanet dhe e bën këtë vizitë historike.

