May 21, 2024
Maqedoni

Xhaferi:Nëse partitë nuk bien dakord për zgjedhjet deri në vitin e ri, do t’i shpall ato në terminin e parë të mundshëm

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi porositi partitë që të bien dakord për datën e zgjedhjeve më së voni deri në Vitin e Ri. Ai shtoi se nuk do të linte më shumë kohë për marrëveshje ndërpartiake, përkatësisht nëse nuk arrihet marrëveshje deri në fund të vitit, Xhaferi do të shpallë zgjedhjet presidenciale brenda afatit. Në një konferencë me gazetarë Xhaferi tha se zgjedhje presidenciale më së shpejti mund të ketë më 14 mars, ndërsa raundi i dytë të mbahet më 28 mars. Më së voni, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale mund të mbahet më 25 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj. Xhaferi vlerësoi se 8 maji është datë kritike, duke pasur parasysh ankesat e mundshme dhe afatin e shkurtër, pasi presidenti i ardhshëm duhet të inaugurohet deri më 12 maj. Nëse kjo nuk ndodh, kompetencat e presidentit do të kalojnë te kryetari i Kuvendit. Xhaferi u bëri thirrje palrtive të bien dakord, dhe ta informojnë për marrëveshjen eventuale, ndërsa përjashtoi mundësinë që ai të formojë një grup pune ndërpartiake për këtë çështje. Këtë detyrë ua la koordinatorëve të partive parlamentare.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski gjithashtu porositi që grupi i punës të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, por kërkoi që Xhaferi ose përfaqësuesit e qeverisë të dërgojnë ftesë. Mickoski shtoi se do të emërojë menjëherë anëtarë nga VMRO-DPMNE. Kreu i opozitës përsëriti kërkesën ndaj Kovaçevskit për të organizuar zgjedhje të dyfishta, përkatësisht zgjedhje parlamentare së bashku me zgjedhje presidenciale.

“Ja, le të shkruajë një datë afër dy festave të mëdha fetare, Ramazanit dhe Pashkëve. Le të vendosë ai. Si të vendosë ai ashtu ne do e pranojmë, vetëm le të vendosë, le ta çlirojë shoqërinë. Nëse ka nevojë të konsultohet, sot ka drekë me Grubin dhe Ahmetin, le të konsultohet. Nëse ka nevojë prej tyre të marrë dritë jeshile, le të kërkojë dritë jeshile. Vetëm le të vendosë, do të ishte marrëzi të ketë zgjedhje të ndara dhe të shpenzojmë paratë e qytetarëve, dhjetëra miliona euro…”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Më parë, LSDM theksoi se ishte e gatshme të diskutojë për datat, por tani për tani përjashtoi mundësinë që zgjedhjet presidenciale të përkojnë me zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e rregullta parlamentare, sipas Xhaferit, mund të organizohen midis 5 majit dhe 15 korrikut, kështu që kjo ndoshta hedh poshtë propozimet e Mickoskit që të votohet për president dhe deputetë midis Bajramit dhe Pashkëve dhe 8 maji mbetet data e vetme e mundshme për zgjedhje të rregullta të dyfishta.