Presidenti i Serbisë Shaip Kamberi ka sulmuar deputetin nga Bujanoci, Shaip Kamberi, duke thënë se Vuçiç “Shaip Kamberi është më i keqi prej gjithë shqiptarëve”. Vuçiç në deklaratë për mediat serbe gjithashtu ka thënë se shqiptarë e Luginës për zgjedhjet e tetorit në Serbi “i kanë bashkuar armiqtë e serbëve” transmeton portali Lideri.mk.
Me këtë ai para së gjithash ka menduar për kryeministrin kosovar, Albin Kurti, i cili bëri bashkë para zgjedhjeve shqiptarët e Luginës dhe Sanaxhakut.

Ja si është përgjigjur ndaj këtyre akuzave deputeti Kamberi, duke kujtuar që në fillim deklaratën e Vuçiçit se “për një serb të vrarë në Bosnje, do të vriten 100 boshnjakë” :

Personalisht, nuk kam thënë kurrë “100 për një”

Gjatë një deklarimi në mediat serbe për rolin “armiqësor të OJQ-ve ndaj Serbisë Presidenti Vuciq më paska cilësuar si më të “keqin” ndër shqiptarët.

" "

Do të doja ta dija: Pse? Çfarë po i pengojka tek unë?

A i pengon fakti që kam kërkuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë të drejta të barabarta?

A i pengon që kam kërkuar zbatimin e marrëveshjeve që Serbia vetë i ka nënshkruar?

A i pengon që kam folur në Kuvend për diskriminimin, arsimin, gjuhën, përfaqësimin proporcional, zhvillimin ekonomik dhe fondet për komunat shqiptare?

A i pengon që kam parashtruar në procedurë parlamentare Rezolutën për të drejtat e shqiptarëve?

Apo i pengojnë kërkesat e vazhdueshme për ballafaqimin e Serbisë me krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Dhe mbi të gjitha, pse e shqetëson kaq shumë fakti që shqiptarët janë bashkuar?

Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt.

Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar.

Por është legjitime të shtrohet një pyetje: a do të ishte më e përshtatshme për pushtetin që shqiptarët të ishin të përçarë, të garonin të ndarë dhe të mos kishin një zë të përbashkët në Parlament?

Unë nuk dua të spekuloj për motivet e askujt. Por nëse bashkimi politik i shqiptarëve është ajo që sot shqetëson pushtetin, atëherë pyetja duhet t’i bëhet atij që shqetësohet.

Çfarë i pengon Vuciqit te shqiptarët e bashkuar?

Sa për mua personalisht, nuk kam thënë kurrë “100 për një”. Nuk kam kërcënuar askënd me hakmarrje në emër të kombit tim. Nuk kam kërkuar që për një shqiptar të vriten 100 tjerë.

Prandaj, në vend që të më quajë “më të keqin”, presidenti mund të përgjigjet konkretisht: cila nga kërkesat e mia është antikushtetuese, cila është antidemokratike dhe cila është antievropiane?

Sepse unë nuk kërkoj të drejta për shqiptarët duke ua mohuar ato serbëve.

Kërkoj barazi, përfaqësim dhe respekt për të drejtat që u takojnë të gjithë qytetarëve.

Kërkoj standarde që vet Vuçiq kërkon për serbët.

Dhe nëse kjo është arsyeja pse unë jam “më i keqi”, atëherë OK le të mbetem më i keqi, nuk më duhen lavdatat e tij, por le të flasim për kërkesat konkrete dhe jo me etiketime./Lideri

sqShqip