May 29, 2024
Maqedoni

Vrasja e fëmiut shqiptar në Rashtan të Velesit 22 vite e pandriçuar

Pyetje për ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski nga deputetja Safije Sadiku Shahini:

I nderuar ministër, me datë 09.08.2001 në fshatin Rashtan të Komunës së Velesit ndodhi një ngjarje makabre. Në ketë fshat me rreth 100 familje jetonin edhe 5 familje shqiptare. Njëra ndër ta ishte edhe familja e Sabir dhe Mervete Vejselovit me 4 fëmijët adoleshentë, si dhe vëllezërit e Sabirit.
Në natën e 9 gushtit 2001, derisa fëmijët e kësaj familje ishin duke fjetur në tarracën e katit të dytë të shtëpisë së Fadilit, pa pritur kanë filluar të shtënat me armë zjarri (me armë kallashnikov) në drejtim të shtëpisë së tyre. Në ato momente babai i fëmijëve, Sabiri, i cili ishte në shkallët e shtëpisë vrapon drejt tarracës ku po flinin fëmijët dhe kur arrin aty, 3 nga fëmijët ishin ngritur të trishtuar, por jo edhe djalit i tij, Tafili 10-vjeçar. Tafili nuk mund të lëvizte nga plagët e marra, madje si pasojë e tyre pas disa çasteve ai ndërron jetë.
Për rastin tragjik më 09.08.2001 është përpiluar procesverbal nga gjykatësi hetues pranë Gjykatës Themelore të Velesit, Valentin Zafirov, duke konstatuar plagët dhe vdekjen e fëmijës, si dhe më shumë vrima të shkaktuara nga plumbat në muret e shtëpisë. Vendi i ngjarjes ka qenë i fotografuar, por ka pasur urdhër për ekspertizë balistike të plumbave të gjetur etj.
Mes tjerash, në evidencën e librit të ngjarjeve ditore pranë Stacionit Policor në Veles në datën 09.08.2001 është evidentuar ngjarja VRASJE në fsh. Rashtan.
Pas kësaj ngjarje të gjitha familjet shqiptare nga ky fshat, duke mos e ndjerë veten të sigurt, janë larguar nga fshati, për të mos u kthyer më kurrë, aq më shumë që shtëpitë ishin dëmtuar, ndërsa më vonë, më 13.05.2003, ekipet e SPB Veles kanë bërë hetime-vëzhgime për këto dëmtime.
Megjithatë, edhe pas 22 viteve, edhe pse nga terreni dhe nga prindi i fëmijës së vrarë janë ofruar dëshmi dhe deklarata të shumta deri te organet e rendit dhe hetuesisë, fajtorët e kësaj vrasjejemakabre akoma nuk janë gjetur.
Pyetja ime është: Çfarë ka bërë dhe çfarë është duke ndërmarrë Ministria e Punëve të Brendshme dhe organet e hetuesisë për 22 vite për gjetjen dhe nxjerrjen e vrasësve para drejtësisë dhe deri ku kanë arritur këto hetime zyrtarisht?!

Nënkryetare – Deputete e AlternAtivA-s
Safije Sadiki Shaini