May 24, 2024
Maqedoni

Lumi Vardar mbetet pa ujë në Gostivar

Disa ditë me radhë në shtratin e lumit “Vardar” në Gostivar duken vetëm gurët e tij, pasi uji është ndalur e arsyeja nuk dihet. Kjo gjë bën që persona të ndryshëm ta shfrytëzojnë momentin për të peshkuar. Për situatën e krijuar kanë reaguar nga shoqata sportive e peshkatarëve “Bash Vardar” në Gostivar, e cila është koncesionere e lumit Vardar. Nga aty thonë se situata e krijuar ku vendoset në rrezik çdo gjallesë nënujore, ndërsa gishtin e drejton kah hidroelektranat e vendit.
“Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV), e ndalojnë ujin pa informuar dhe kjo ndodh vite me radhë. Ju bëjmë apel qytetarëve, më saktësisht peshkatarëve të shoqatës që mos ta keqpërdorin këtë gjendje kur ‘Vardari” është pa ujë. Kjo situatë nuk duhet të keqpërdoret as nga ata që kanë leje peshkimi e as nga ata që nuk e kanë një të tillë”, deklarojnë nga “Bash Vardar”.
Nga “Bash Vardar” thonë se shtimi i peshkut do jetë i pamundur, nëse nuk merren masa në kohë. Shoqata ka ftuar adhuruesit e sportit të peshkimit, dhe qytetarët e tjerë mos e keqpërdorin këtë situatë derisa gjendja me ujin në lumin “Vardar” t’i kthehet normaliteti.
Ndryshe, edhe vitin e kaluar në fund të muajit qershor lumi “Vardar” në Gostivar, për disa ditë mbeti pa ujë.