Asani nxjerr në pah dokumentin ku për Bujar Osmanin dhe BDI-në Kosova nuk është “Republikë”

Jasir Asani nga VLEN ka reaguar ndaj një dokumenti zyrtar të publikuar më herët nga Bujar Osmani, duke e akuzuar atë dhe BDI-në e Ali Ahmetit për qasje të papranueshme ndaj Kosovës gjatë kohës sa ishin në pushtet.

Asani ka publikuar një fotografi të aktit zyrtar të vitit 2022, të cilin më herët e kishte shpërndarë edhe vetë Bujar Osmani. Në dokumentin e Kuvendit, në titullin e ligjit për garancinë shtetërore për huanë për financimin e projektit TEN-T për autostradën Shkup–Prishtinë, Kosovës i referohet vetëm si “Kosovë”, pa formulimin “Republika e Kosovës”.

“Kjo është fytyra e vërtetë e Bujar Osmanit dhe e BDI-së së Ali Ahmetit ndaj gjuhës shqipe sa ishin në pushtet, as Kosovës nuk i janë referuar si republikë. TURP”, ka shkruar Asani.

" "

Reagimin e tij, Asani e ka shoqëruar edhe me vargjet e njohura të Naim Frashërit për gjuhën shqipe:

“Gjuha Shqipe 🇦🇱

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!”

Postimi i Asanit rikthen në vëmendje një dokument të vitit 2022 dhe e përdor atë si kritikë politike ndaj Bujar Osmanit dhe BDI-së për mënyrën se si, sipas tij, trajtohej Kosova në dokumentet zyrtare gjatë kohës së tyre në pushtet.

sqShqip