Shkup, 12 tetor 2026 – Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji, ndërsa ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Kështu bëri të ditur VLEN-i përmes një reagimi të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili theksoi se askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë.
Sipas VLEN-it, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masat përkatëse, ndërsa procedurat e mëtejshme për rastin janë në kompetencë të Prokurorisë.
“Dhuna policore nuk ka vend në vendin tonë. Uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij”, denlaroi zv/ministri Astrit Iseni.
Iseni vlerësoi se suspendimi i gjashtë policëve dëshmon se institucionet po reagojnë dhe se përgjegjësia duhet të vlejë për të gjithë, pa përjashtim.
Ai akuzoi opozitën shqiptare se po përpiqet ta politizojë rastin dhe t’i japë atij ngjyrim etnik, duke pretenduar se pas publikimit të pamjeve nisën akuzat dhe përpjekjet për ta shndërruar ngjarjen në betejë politike.
Iseni i përgjigjet BDI-së
Në reagimin e tij, Iseni iu përgjigj edhe kërkesës së BDI-së për dorëheqjen e tij, duke kritikuar ish-partinë në pushtet për mënyrën se si, sipas tij, i ka trajtuar rastet e rënda gjatë dy dekadave të qeverisjes.
Ai përmendi rastet “Sopot” dhe “Monstra”, vdekjen e Rexhail Qerimit në burg, vrasjen e Harun Aliut dhe atë të Xhemail Rexhepit, të njohur si Komandant Shqiponja, si dhe djegien e dyqaneve shqiptare.
Sipas Isenit, BDI-ja nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për këto raste gjatë kohës kur ishte në pushtet.
“Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë ju? Asgjë. Heshtët!”, deklaroi Iseni, duke shtuar se shqiptarët nuk i kanë harruar këto ngjarje.
Në fund të reagimit, ai tha se me BDI-në në opozitë ka përfunduar, sipas tij, koha e rasteve të montuara dhe e veprimeve që bëheshin pa dhënë llogari.
VLEN-i theksoi se përgjegjësia institucionale duhet të jetë parim themelor, ndërsa rasti i dhunës ndaj dy të rinjve nga Saraji duhet të trajtohet përmes procedurave ligjore dhe të ndiqet deri në përfundimin e tij.

