May 6, 2024
Maqedoni

Visar Ganiu: Premtojmë dhe realizojmë, me investim prej 250 milionë denarëve u promovua Bit Pazari

Premtojmë dhe realizojmë, me këtë fjali kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu e ka përshkruar lëshimin në përdorim të kapacitetit të ri dhe të rikonstruar të Bit Pazarit, që u bë sot.

“Me 630 tezga, 175 lokale dhe 220 vende parkimi, Bit Pazari nga sot mori një pamje të re moderne, por lirisht mund të them se u bë edhe qendër multifunksionale. Sot jemi dëshmitarë të një investimi të suksesshëm në Komunën tonë të Çairit, që peshon hiç më pak se 250 milionë denarë. Ky investim është tejet i mirëseardhur për qytetarët tanë, për Çairin tonë, për bizneset që do të funksionojnë këtu. Por ajo që ia shton më shumë peshën janë vend-parkingjet e krijuara që ndihmojnë shumë në lehtësimin e qarkullimit”, ka thënë Ganiu me këtë rast.

Ai e ka përgëzuar SHA “Skopski Pazar” për realizimin e programit zhvillimor dhe investues të Bit Pazarit, sepse siç ka shtuar investimet e tilla nënkuptojnë avancim ekonomik, avancim të mirëqenies, hapje të vendeve të punës-apo thënë shkurt nënkuptojnë jetë më të mirë në Komunën e Çairit.

“Bit Pazari duke qenë edhe pjesë e pandashme e zemrës së Komunës së Çairit- Çarshisë së Vjetër-sot duket qendër më tërheqëse biznesi, që jam i sigurt se do t’i plotësojë nevojat e konsumatorëve, e të atyre që japin shërbimet”, ka shtuar kreu i Çairit, Ganiu.

Ai ka përmendur edhe faktin se në Bit Pazar në bazë ditore në treg qarkullojnë rreth 20.000 qytetarë dhe ky vend llogaritet si tregu më i madh dhe më modern në Maqedoninë e Veriut, llogaritet edhe si arterie ekonomike jo vetëm në Çair, por edhe në tërë qytetin e Shkupit.

Lëshimi në përdorim i kapacitetit të ri dhe të rikonstruar të Bit Pazarit, u bë sot në prezencë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, zv/kryeministrave Fatmir Bytyqi dhe Ljupço Nikollovski, ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha dhe të menaxhmentit të SHA “Skopski Pazar”.